Netanyahu: S’do të ketë shtet palestinez, është shumë e thjeshtë - NACIONALE

Netanyahu: S’do të ketë shtet palestinez, është shumë e thjeshtë

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka këmbëngulur se nuk do të ketë shtet palestinez, edhe nëse kjo do t’i kushtojë vendit me mungesën e normalizimit të marrëdhënieve me Arabinë Saudite.

“Nuk do të ketë një shtet palestinez. Është shumë e thjeshtë: ai nuk do të themelohet” – tha Netnayahu në një intervistë me kanalin e popullarizuar lokal në rrjetin “Telegram”, “Abu Ali”, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Kur u pyet nga intervistuesi nëse kundërshtimi i tij ndaj themelimit të një shteti palestinez nuk do të luhatet edhe nëse një qëndrim i tillë e rrezikon normalizimin e marrëdhënieve me Riadin – i cili kërkon një shteg të besueshëm drejt shtetësisë palestineze në këmbim të lidhjeve diplomatike me Izraelin – Netanyahu tha: “Përgjigjja është: një shtet palestinez nuk do të themelohet. Ai është rrezik ekzistencial ndaj Izraelit.”

Në pyetjen se çfarë e ka parandaluar normalizimin e marrëdhënieve me sauditët, kryeministri izraelit tha se lufta në Gaza e ka tendosur progresin, por se “mund të zhvillohen kushtet” tani që lufta po shkon drejt fundit.

“Por kushtet duhet të jenë të pranueshme për të dyja palët – kushte që janë të mira për të dyja palët” – paralajmëroi ai.

“Unë di si të qëndroj i palëkundur për kushtet tona thelbësore dhe të mos e rrezikoj sigurinë tonë, e nëse ky proces piqet më vonë, shkëlqyeshëm. Nëse jo, ne do t’i mbrojmë interesat tona jetike” – shtoi Netanyahu.

Më herët këtë javë, princi saudit, Mohammed bin Salman, tha se vendi i tij dëshiron që të bëhet pjesë e Akordeve të Abrahamit, por bëri thirrje për nevojën e sigurimit të një rruge drejt një zgjidhjeje me dy shtete mes Izraelit e palestinezëve. Ai i bëri këto komente në takimin që e pati në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan, Donald Trump./Nacionale

Lajme të ngjashme