Netanyahu këmbëngul se lidhjet me Trumpin i ka “të shkëlqyeshme”, raportet thonë ndryshe - NACIONALE

Netanyahu këmbëngul se lidhjet me Trumpin i ka “të shkëlqyeshme”, raportet thonë ndryshe

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyhu, të dielën i kundërshtoi raportimet për shtimin e dallimeve mes tij dhe presidentit amerikan, Donald Trump, duke thënë se marrëdhënia me kreun e Shtëpisë së Bardhë është “e shkëlqyeshme”.

Këto raportime vijnë para vizitës së presidentit amerikan në Lindjen e Mesme këtë javë, në të cilën ai do të ndalet në Arabinë Saudite, Katar e Emiratet e Bashkuara Arabe, por jo edhe në Izrael, duke i nxitur kritikët e Qeverisë që të paralajmërojnë se Izraeli po lihet jashtë nismave diplomatike rajonale të Uashingtonit, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Çfarë mund të them – nuk është Trumpi që po e thotë këtë dhe nuk jam unë që po e them këtë” – tha Netanyahu, kur u pyet rreth pretendimeve të burimeve në media se ka tension në rritje mes Shteteve të Bashkuara e Izraelit në kohën e luftës në Gaza e në periudhën e bisedimeve bërthamore mes Uashingtonit e Teheranit.

“Ishte zëdhënësja e tij [Trumpit] në Shtëpinë e Bardhë që tha: “Çfarë është kjo marrëzi?” - vazhdoi Netanyahu, duke iu referuar komenteve të bëra rishtazi nga sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. “Ajo tha se marrëdhënia është e shkëlqyeshme dhe unë po ju them juve, marrëdhënia është e shkëlqyeshme” – shtoi kryeministri izraelit.

“Këto spine – shumica prej tyre janë lindur këtu [në Izrael]. Ato janë lindur në një medium të caktuar që po mundohet të promovojë një kandidat të caktuar dhe, me qëllim që ta promovojë atë, atyre u nevojitet të thonë: “Trumpi e Netanyahu nuk janë më” – tha më tej Netanyahu, pa e përmendur emrin e mediumit në të cilin po aludonte.

"Flas me të [Trumpin] kohë pas kohe. Nuk do të them për çdo dy ditë, por për çdo dy – tri javë, flas me të. Njerëzit e mi janë në Shtëpinë e Bardhë – përfshirë atë para dy ose tre ditëve, ata ishin aty... Ne aktualisht jemi të bekuar me një president dhe me një administratë që është shumë, shumë miqësore dhe ne po mundohemi që t’i bashkërendojmë edhe gjërat e mëdha, edhe gjërat e vogla" – tha Netanyahu, duke iu referuar vizitës së ministrit të Punëve Strategjike, Ron Dermer, në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar.

Emisari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, iu shtua zërave të zyrtarëve që i mohuan tensionet mes dy udhëheqësve. “Kryeminsitri Netanyahu dhe populli izraelit janë një aleat i patundur i Shteteve të Bashkuara dhe kjo vlen edhe në drejtimin e kundërt. Kam pasur shumë takime me presidentin [Trump] dhe me kryeministrin [Netanyahu] – ato janë miqësore. Në të vërtetë, ata janë miq” – tha ai.

Televizioni “Channel 12” raportoi të dielën se emisari amerikan rishtazi u ka thënë familjeve të pengjeve se nuk pajtohet me qasjen e Izraelit ndaj luftës në Rripin e Gazës dhe se beson që Izraeli pa kuptim po e zgjat luftën, pasi arritja e një armëpushimi të ri dhe i një pakti për lirimin e pengjeve është hapi i duhur që duhet të bëhet./Nacionale

Lajme të ngjashme