Netanyahu i gatshëm për ndërmjetësim midis Ukrainës e Rusisë
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se do të ishte i gatshëm të shërbente si ndërmjetës midis Ukrainës dhe Rusisë.
Netanyahu ka thënë për CNN se atij i është kërkuar të ndërmjetësojë edhe më herët, jo shumë kohë pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, megjithatë ai e kishte refuzuar kërkesën pasi në atë kohë nuk ishte kryeministër.
“Unë isha lider i opozitës në atë kohë dhe thashë, mirë e kam një rregull; një kryeministër në të njëjtën kohë,”- ka thënë ai.
I pyetur nëse tani do të ndërmjetësonte, Netanyahu është shprehur duke thënë: “Nëse kërkohet nga të gjitha palët përkatëse, sigurisht që do ta konsideroj, por nuk po e shtyj veten”.
Ai më tej ka shtuar se do të dëshironte që në veçanti, një gjë të tillë t’ia kërkonin Shtetet e Bashkuara.
Gjatë intervistës të dhënë për CNN, Netanyahu gjithashtu ka theksuar se ai kishte një marrëdhënie të mirë me presidentin amerikan Joe Biden, duke thënë: “Unë mendoj se angazhimi i Presidentit Biden ndaj Izraelit është real, nuk janë vetëm fjalë, është i vërtetë, ai vjen nga zemra. Dhe angazhimi im për aleancën me Shtetet e Bashkuara është real.”
Edhe pse ka shtuar se Uashingtoni dhe Tel Aviv mund të kenë mosmarrëveshje për shumë gjëra, përfshirë Iranin, ai ka thënë se aleanca midis dy vendeve “duhej të ishte e palëkundur”.
