Nëndetësja amerikane me energji bërthamore arrin në Kore Jugore një ditë pas testimeve të Veriut - NACIONALE

Nëndetësja amerikane me energji bërthamore arrin në Kore Jugore një ditë pas testimeve të Veriut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara dislokuan të premten në Korenë Jugore një nëndetëse me energji bërthamore që mund të bartë rreth 150 raketa “Tomahawk”.

Ky veprim ndodhi vetëm një ditë pasi Koreja Veriore i rifilloi testimet e raketave si shenjë proteste ndaj ushtrimeve të përbashkëta mes forcave të ShBA-së e Koresë Jugore me armatim të vërtetë, raporton agjencia “Associated Press”.

Arritja e nëndetëses “USS Michigan” në Korenë Jugore, e para e këtij lloji në gjashtë vitet e fundit, është pjesë e një marrëveshje të re dypalëshe për përforcimin e “dukshmërisë së rregullt” të aseteve strategjike të ShBA-së në Gadishullin Korean si kundërpërgjigje ndaj programit bërthamor në zhvillim të Koresë Veriore, sipas zyrtarëve të Koresë Jugore.

Me dislokimin e nëndetëses “USS Michigan”, forcat detare të ShBA-së dhe të Koresë Jugore pritet të zhvillojnë ushtrime për forcimin e kapaciteteve të tyre për operacione special dhe aftësinë e përbashkët për t’u ballafaquar me kërcënimet bërthamore në rritje nga Koreja Veriore, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë Jugore.

Në deklaratë thuhet se nëndetësja amerikane arriti në qytetin juglindor bregdetar, Busan, por nuk u tregua se për sa kohë do të qëndrojë në ujërat e Koresë Jugore.

Nëndetësja “USS Michigan” është njëra prej nëndetëseve më të mëdha në botë. Ajo mund të armatoset me 150 raketa “Tomahawk” dhe mund të kryejë misione të forcave special, sipas deklaratës së ministrisë së Koresë Jugore.

Ushtritë e Shteteve të Bashkuara dhe të Koresë Jugore i kanë zgjeruar ushtrimet e tyre si reagim ndaj testimeve të raketave nga Koreja Veriore nga viti i kaluar. Koreja Veriore ka argumentuar se ka qenë e detyruar që t’i shtojë aktivitetet testuese për t’u ballafaquar me ushtrimet e zgjeruara ushtarake të rivalëve, të cilat i sheh si ushtrime për pushtim, por ekspertët thonë se Koreja Veriore synon që ta modernizojë arsenalin e saj dhe ta forcojë pozicionin e saj në rast të përdorimit të diplomacisë.

Lajme të ngjashme