Nën shkolla e spitale? Ku ndodhen e pse përdoren tunelet e Hamasit në Gaza - NACIONALE

Nën shkolla e spitale? Ku ndodhen e pse përdoren tunelet e Hamasit në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, më 7 tetor, pyetje të shumta janë ngritur në lidhje me grupin militant dhe veprimtarinë e tij.

Diçka që ka ngjallur kuriozitet ndër të tjera dhe është përfolur shumë, janë edhe tunelet e Hamasit.

Në lidhje me këtë çështje, BBC shkruan se këto tunele janë një pjesë jetike e operacioneve të grupit. Tunelet e Gazës janë një labirint shumë i përhapur, dhe ushtria izraelite i quan ato “Metroja e Gazës”. Dihet se përdoren për transportim të mallrave dhe njerëzve, për ruajtjen e armëve dhe municioneve e po ashtu për strehimin e komandës e kontrollit.

Por një pyetje tjetër që është shtruar vazhdimisht, është nëse ekziston mundësia që këto tunele të jenë ndërtuar edhe nën spitale dhe shkolla.

BBC shkruan se tunelet janë shumë të përforcuara me beton dhe të lidhura me energji elektrike, janë të thella deri në 30 metra dhe është shumë e vështirë të dihet se ku ndodhen saktësisht. Megjithatë, kjo media shton se duke qenë se është një rrjet kaq i gjerë nëntokësor dhe gjendet në Gaza – një territor shumë i vogël - ka shumë mundësi që tunelet të jenë edhe nën lagje të dendura me shtëpi, spitale e shkolla.

Kujtojmë se ushtria izraelite, e ka akuzuar vazhdimisht Hamasin se i përdor këto tunele për t’u fshehur në to, duke i përdorur edhe si mburoja njerëzore.

Lajme të ngjashme