Luftime edhe me Hezbollahun: Izraeli urdhëron evakuimin e 28 fshatrave pranë kufirit libanez - NACIONALE

Luftime edhe me Hezbollahun: Izraeli urdhëron evakuimin e 28 fshatrave pranë kufirit libanez

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Që nga 7 tetori kur nisën edhe luftimet mes Izraelit e Hamasit, pas një sulmi të grupit militant palestinez që la të vdekur më shumë se 1,400 izraelitë, ka pasur raportime edhe për shkëmbime zjarri mes Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah.

Në zhvillimet më të fundit, është bërë e ditur se qeveria izraelite ka urdhëruar evakuiimin e 28 fshatrave në veri të Izraelit, brenda dy kilometrave nga kufiti i vendit me Libanin.

Në një deklaratë të përbashkët nga Ministria e Mbrojtjes së Izraelit dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit është bërë e ditur se, “zbatimi i planit u miratua nga ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant”.

"Pak kohë më parë, Komanda Veriore informoi krerët e autoriteteve lokale mbi vendim. Plani do të zbatohet nga krerët e bashkive vendore, Ministria e Brendshme dhe Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Emergjencave (NEMA) të Ministrisë së Mbrojtjes,”- thuhet tutje në këtë komunikatë.

28 komunitetet e përfshira në këtë plan evakuimi janë: Ghajar, Dishon, Kfar Yuval, Margaliot, Metula, Avivim, Dovev, Ma'ayan Baruch, Bara'm, Manara, Yiftach, Malkia, Misgav Am, Yir'on, Dafna, Arab al. -Aramshe, Shlomi, Netu'a, Ya'ara, Shtula, Matat, Zari't, Shomera, Betzet, Adamit, Rosh HaNikram, Hanita dhe Kfar Giladi.

Lajmet për evakuimin vijnë në mes të një shkëmbimi zjarri në kufirin midis Izraelit dhe anëtarëve të grupit militant libanez Hezbollah, ku dihet se të dielën avionët izraelitë goditën objektivat ushtarake të Hezbollahut në Liban, në përgjigje të nëntë raketave të lëshuara nga Libani në territorin izraelit më herët gjatë ditës.

Kujtojmë se, paniku e frika po mbizotërojnë në rrugët e mbushura me rrënoja në Gaza, ku spitalet janë stërmbushur me viktima të përgjakura, e në morgje ka vështirësi për t’u bërë vend trupave.

Operacioni i pritshëm tokësor i forcave izraelite vetëm sa e ka shtuar frikën edhe për pengjet që po mbahen nga Hamasi, pasi ky grup ka kërcënuar se do të vrasë pengje si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të paparalajmëruara të Izraelit ndaj civilëve.

Lajme të ngjashme