Në tubimin për Kirkun e vrarë, Trumpi thotë se i urren kundërshtarët e tij
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një tubim përkujtimor publik për ta nderuar aktivistin e vrarë djathtist, Charlie Kirk, tha se i urren kundërshtarët e vet, edhe pasi e veja e të vrarit tha se e fal burrin e akuzuar për vrasjen e bashkëshortit të saj gjatë një organizimi në Utah.
Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në tubimin që u mbajt të dielën në Arizonë. Presidenti Trump ishte i fundit që mbajti fjalim në mesin e më shumë se 20 të tillave, pasi aty folën e veja e Kirkut, Erika, nënpresidenti JD Vance, katër anëtarë të kabinetit dhe zyrtarë të tjerë të Shtëpisë së Bardhë, shkruan gazeta “The Guardian”.
Në një moment, Trumpi tha se, pak para se të vritej, Kirku i kishte thënë një anëtari të stafit se nuk frikësohej nga studentët që nuk pajtoheshin me të në një tubim në Universitetin “Utah Valley”. “Nuk jam këtu që t’i luftoj ata, dua t’i njoh dhe t’i dua” – e citoi Trumpi Kirkun të ketë thënë. “Në atë moment privat në ditën e tij të vdekjes, ne gjejmë gjithçka që na duhet për të ditur se kush ishte vërtet Charlie Kirk” – shtoi presidenti amerikan.
“Ai nuk i urrente kundërshtarët e tij, ai e donte më të mirën për ta” – tha Trumpi, para se të dilte jashtë fjalimit të përgatitur paraprakisht për të shtuar: “Kjo është pika ku unë nuk pajtohesha me Charlien. Unë i urrej kundërshtarët e mi dhe nuk e dua më të mirën për ta, më vjen keq.”
Gjatë fjalimit, kreu i Shtëpisë së Bardhë e përmendi përdorimin e forcave federale për të patrulluar nëpër qytete dhe gjithashtu promovoi një njoftim që do ta bënte në Shtëpinë e Bardhë të hënën. “Mendoj se ne kemi gjetur një përgjigje për autizmin. Si mendoni për këtë? Autizmi: nesër do të flasim në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë për autizmin” – tha presidenti amerikan.
Trumpi gjithashtu pretendoi se Kirku i kishte bërë thirrje që të dislokonte trupa federale në Chicago. “Njëra nga gjërat e fundit që ai m’i tha mua ishte “Të lutem, zotëri, shpëtoje Chicagon.” Dhe ne do ta bëjmë këtë, ne do ta shpëtojmë Chicagon nga krimi i tmerrshëm” – paralajmëroi Trumpi.
Nënpresidenti Vance tha se Kirku, i njohur për komunikimin që e kishte me studentët, ishte kombinim i traditave të Sokratit dhe Krishterimit. “Ai ishte Athina dhe Jerusalemi; qyteti i arsyes dhe qyteti i Zotit në një person” – tha zëvendësi i Trumpit.