Në stilin “Mad Max”, forcat ruse hyjnë në Pokrovsk me motoçikleta e vetura pa dyer
Rusia thotë se forcat e saj depërtuan të martën më thellë në qytetet lindore të Ukrainës, Pokrovsk dhe Kupiansk. Në një video shihen ushtarë rusë duke hyrë në Pokrovsk në motoçikleta e madje edhe të hipur mbi vetura e minibusë të dëmtuar.
Moska thotë se kapja e Pokrovskit, i cilësuar si “porta drejt Donetskut” nga mediat ruse, do t’i ofronte një platformë për të përparuar në veri, drejt dy qyteteve më të mëdha që ende janë nën kontrollin e Ukrainës në rajonin e Donetskut – Kramatorsk dhe Sloviansk, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e përshkroi si të vështirë situatën rreth Pokrovskit, ndërsa komandanti i ushtrisë, Oleksandr Syrskyi, pranoi se pozicioni i forcave të tij në disa pjesë të rajonit juglindor Zaporizhia është “përkeqësuar në masë domethënëse”.
Blogerët rusë të luftës të martën publikuan një video ku, sipas tyre, shfaqen forcat ruse duke hyrë në Pokrovsk përgjatë një rruge të mbuluar me mjegull. Disa përdorues të rrjetit “Telegram” tha se kjo pamje ngjan me skenat e filmit “Mad Max” të vitit 1979, ku ngjarja zhvillohet në një peizazh pas apokalipsit.
This isn’t a scene from Mad Max: Furiosa - it’s more like Mad Maxim: Alcohosa, featuring Russian assault troops in Pokrovsk rolling in on hacked-up motorcycles and jery-rigged civilian trucks pic.twitter.com/vjeJfVW5Bz
— Tatarigami_UA (@Tatarigami_UA) November 11, 2025
Në pamje shihen forca ruse me motoçikleta e me automjete të çuditshme. Një veture i mungon dera. Disa ushtarë rusë shihen hipur mbi një automjet, ndërsa në rrugë shihet edhe një dron.
Agjencia “Reuters” arriti që ta vërtetonte vendin e paraqitur në video si hapësirë në qytetin Pokrovsk, por nuk ishte në gjendje që ta verifikonte datën e incizimit.
Zelensky tha se situata në Pokrovsk është “e vështirë, posaçërisht pasi kushtet e motit i favorizojnë sulmet, por ne po vazhdojmë që t’i shkatërrojmë pushtuesit”.
Presidenti ukrainas tha gjithashtu se forcat ruse po i shtojnë sulmet ndaj rajonit Zaporizhia, në pjesën juglindore të vendit. Komandanti Syrskyi tha se forcat ruse po e shfrytëzojnë motin me mjegull për të depërtuar nëpër pozicione në Zaporizhia./Nacionale