Në një hotel në Budva janë helmuar nga ushqimi 96 persona - NACIONALE

Në një hotel në Budva janë helmuar nga ushqimi 96 persona

4 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Në një hotel në Budva, i cili më parë ishte mbyllur për shkak të mosrespektimit të standardeve shëndetësore dhe sanitare, 96 turistë të huaj kanë pësuar helmim masiv nga ushqimi, raporton Radio-Televizioni i Malit të Zi pa specifikuar se për cilin hotel bëhet fjalë.

Siç ka mësuar Radio Mali i Zi, bëhet fjalë për turistë nga Polonia, Italia dhe Kroacia të cilët kanë ardhur te mjekët në spitalet në Cetinje, Tivar dhe Kotorr me probleme me tretjen.

Disa prej tyre po udhëtonin nëpër Mal të Zi dhe kërkuan ndihmë në institucionet shëndetësore të qytetit ku u gjendën.

Disa përfunduan në spital

“Mbrëmë rreth orës 22:00 në Spitalin e Përgjithshëm të Kotorrit janë sjellë rreth tridhjetë pacientë për shkak të diarresë dhe të vjellave. Pacientët janë trajtuar në mënyrë adekuate, është bërë diagnoza e plotë dhe të gjithë pas terapisë kanë dalë në gjendje të mirë të përgjithshme", tha drejtori i spitalit të Kotorrit, Davor Komburoviq, transmeton agjencia Tanjug.

Për këtë rast për momentin nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Drejtoria për Çështje të Inspektimit dhe Instituti i Shëndetit Publik, por Radio Mali i Zi mësoi se për përkujdesjen ndaj qytetarëve të tyre janë përfshirë edhe ambasadat e huaja, si dhe se ministria përkatëse malazeze ka janë përfshirë në zgjidhjen e situatës, sipas RTCG. /Nacionale/

Lajme të ngjashme