Në Nepal vdes vajza që u detyrua të qëndronte e vetme në "kasollen e menstruacioneve" - NACIONALE

Në Nepal vdes vajza që u detyrua të qëndronte e vetme në "kasollen e menstruacioneve"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një vajzë 16-vjeçar nga Nepali ka vdekur si rezultat i praktikës së paligjshme “chhaupadi”, me ç’rast vajzat dhe gratë që janë me menstruacione detyrohen që të qëndrojnë në kasolle jashtë shtëpive të tyre.

Anita Chand, nga distrikti Baitadi, që shtrihet në perëndim të Nepalit, në kufi me Indinë, thuhet se vdiq të mërkurën nga kafshimi i gjarprit, përderisa ishte në gjumë. Vdekja e saj është rasti i parë fatal i raportuar nga praktika e paligjshme që nga viti 2019 dhe aktivistët kanë frikë se progresi për ta zhdukur këtë dukuri është duke u dëmtuar, raporton gazeta “The Guardian”.

Praktika “chhaupadi” është e mbështetur në besimin e vjetër me shekuj se gratë dhe vajzat janë të papastra dhe të paprekshme gjatë menstruacioneve. Atyre nuk u lejohet që të bëjnë një varg veprimesh dhe, në disa raste, dërgohen në “kasollet e menstruacioneve” gjatë asaj periudhe. Kjo praktikë ka lidhje me hinduizmin dhe është e rrënjosur thellë në pjesën perëndimore të Nepalit.

“Chhaupadi” është ndaluar me ligj nga viti 2005 dhe për të mund të shqiptohen dënime me burgim deri në tre muaj dhe gjobë prej tre mijë rupish (20 funte). Policia në distriktin Baitadi ka thënë se është duke e hetuar vdekjen e Anitës. Familja e saj ka mohuar se ajo ishte me menstruacione në kohën e vdekjes.

“Jemi duke punuar për t’i dhënë fund kësaj praktike, por ende kemi shumë për të bërë”- tha Bina Bhatta, nënkryetare e komunës rurale, Pancheshwar, në distriktin Baitadi.

Vdekja e fundit që është raportuar nga kjo praktikë ishte në vitin 2019. Parwati Budha Rawat, 21 vjeçe, vdiq pas kalimit të tri netëve në një kasolle. Vdekja e saj ishte e pesta që ishte raportuar atë vit. Gratë dhe vajzat kanë vdekur nga sulmet e kafshëve dhe nga thithja e tymit, pasi kishin ndezur zjarre në kasollet pa dritare. Kunati i Rawat-it ishte dënuar me tre muaj burgim.

Vdekja e saj kishte nxitur programe e fushata gjithëkombëtare për t’i dhënë fund kësaj tradite. Mijëra kasolle menstruacionesh u shkatërruan, por duket se ato kanë filluar përsëri që të rindërtohen nga njerëzit.

Lajme të ngjashme