Në marrëveshje me ShBA-në, Gjermania do t’ia japë Ukrainës dy sisteme “Patriot” - NACIONALE

Në marrëveshje me ShBA-në, Gjermania do t’ia japë Ukrainës dy sisteme “Patriot”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjermania tha të premten se do të dërgojë dy sisteme raketore “Patriot” në Ukrainë, pasi ka arritur marrëveshje me Shtetet e Bashkuara që Berlini të jetë i pari në rresht për t’i pranuar sistemet më të reja amerikane në këmbim të këtij veprimi.

Falë zotimit të Shteteve të Bashkuara, “Gjermania fillimisht mund ta përkrahë Ukrainën me hedhës dhe pastaj me përbërës shtesë të sistemit Patriot”, tha në një deklaratë ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ushtria gjermane fillimisht do t’ia dhurojë Ukrainës hedhësit shtesë të sistemeve “Patriot” ditëve në vijim, pastaj pjesët shtesë të sistemit do të dorëzohen brenda dy ose tre muajve.

Në këmbim të kësaj, Gjermania do të pranojë sisteme të reja “Patriot”, për të cilat po i dhuron fondet, nga Shtetet e Bashkuara me një ritëm të përshpejtuar.

Nevojat e Ukrainës për mbrojtje ajrore janë bërë më urgjente, pasi Rusia i ka intensifikuar sulmet ajrore në mbarë vendin fqinj këtë verë dhe sistemet “Patriot” janë dëshmuar si armë efikase për shkatërrimin e raketave balistike ruse.

Gjermania tashmë i ka dhuruar Ukrainës tri sisteme “Patriot” dhe të premten tha se dërgimi i sistemeve shtesë nuk do ta prekë kontributin e saj në aleancën e NATO-s./Nacionale

Lajme të ngjashme