Në Francë fillojnë zgjedhjet presidenciale, të rëndësishme për të gjithë BE-në
Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale ka filluar sot në Francë, ku rreth 48.7 milionë votues të regjistruar do të mund të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar.
Presidenti aktual Emmanuel Macron shpreson për një mandat të dytë. Rivalja e tij më e madhe konsiderohet të jetë kandidatja e krahut të djathtë Marine Le Pen. Populisti i krahut të majtë, Jean-Luc Melenchon, gjithashtu shpreson të hyjë në raundin e dytë të zgjedhjeve më 24 prill. Në raundin e parë marrin pjesë gjithsej 12 kandidatë.
Kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, është duke e rrezikuar seriozisht rizgjedhjen e Presidentit aktual, Emmanuel Macron.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 08:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00, kur do të publikohen sondazhet e para të exit poll. Sondazhet e tilla janë zakonisht shumë të besueshme në Francë.
Deri vetëm disa javë më parë, sondazhet e opinionit treguan për një fitore të lehtë të Emmanuel Macron, popullariteti i të cilit u rrit nga diplomacia e tij aktive në rastin e Ukrainës, rimëkëmbja e fortë ekonomike, dhe dobësia e një opozite të coptuar.
Por hyrja e tij e vonuar në fushatë, me vetëm një tubim të madh që edhe mbështetësit e tij e panë të dobët, rritja e madhe e inflacionit, dhe përqendrimi i tij në një plan jo të mirëpritur për të rritur moshën e daljes në pension, kanë ulur vlerësimet për presidentin.
Në anën tjetër, e djathta ekstreme kundër emigracionit, euroskeptikja, Le Pen, ka bërë një fushatë intenzive në Francë, e gjitha e buzëqeshur, me mbështetësit e saj duke brohoritur "Ne do të fitojmë! Ne do të fitojmë!".
Popullariteti i saj është ngritur nga përqendrimi disa mujor në çështjet e kostos së jetesës dhe rënia e madhe e mbështetjes për rivalin e saj në të djathtën ekstreme, Eric Zemmour.
Pra, sfida kryesore për Macron, 44 vjeç, vjen nga zonja Le Pen e të djathtës ekstreme dhe Jean-Luc Mélenchon, i të majtës ekstreme.
Disa analistë madje kanë parashikuar se presidenti aktual mund të humbasë.