Në fillim të luftës, Putini kishte refuzuar një marrëveshje paqeje të propozuar nga ndihmësi - NACIONALE

Në fillim të luftës, Putini kishte refuzuar një marrëveshje paqeje të propozuar nga ndihmësi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

I dërguari i Rusisë në Ukrainë i kishte thënë presidentit rus, Vladimir Putin, në fillim të luftës se kishte arritur marrëveshje në parim me Kievin që do ta plotësonte kërkesën e Rusisë që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO, por Putini e kishte refuzuar atë dhe e kishte vazhduar luftën, sipas tre personave të afërt me udhëheqësinë ruse.

I dërguari rus, Dmitry Kozak, i kishte thënë Putinit se ai besonte që marrëveshja që e kishte arritur e hiqte nevojën që Rusia të kryente pushtim të shkallës së lartë në Ukrainë, sipas këtyre burimeve. Rekomandimi i Kozak-ut për Putinin që ta zbatonte këtë marrëveshje u raportua për herë të parë nga agjencia “Reuters”.

Putini vazhdimisht ka pretenduar para luftës se NATO-ja dhe infrastruktura ushtarake e saj po u afrohej kufijve të Rusisë duke pranuar anëtarë të rinj nga Evropa Lindore dhe se aleanca tashmë po përgatitej që ta sillte edhe Ukrainën në orbitën e saj. Presidenti rus kishte thënë se kjo përbën kërcënim ekzistencial për Rusinë, gjë që e detyron të reagojë.

Sidoqoftë, pavarësisht përkrahjes së mëhershme për bisedime, Putini kishte bërë të qartë, kur i ishte paraqitur marrëveshja e Kozak-ut, se koncesionet e negociuara nga ndihmësi i tij nuk shkonin mjaftueshëm larg dhe se ai i kishte zgjeruar objektivat për ta përfshirë aneksimin e pjesëve të mëdha të territorit ukrainas, thanë burimet. Rezultati: marrëveshja ishte refuzuar.

I pyetur për këtë raportim, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha: “Kjo nuk ka absolutisht asnjë lidhje me realitetin. Asnjë gjë e tillë nuk ka ndodhur ndonjëherë. Është absolutisht informatë e pasaktë.”

Ndihmësi Kozak nuk i është përgjigjur kërkesës për koment.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia i kishte shfrytëzuar bisedimet si perde tymi për t’u përgatitur për pushtim, por ai nuk iu përgjigj pyetjeve për thelbin e bisedimeve dhe nuk konfirmoi nëse ishte arritur një marrëveshje preliminare. “Sot, ne qartazi kuptojmë se pala ruse kurrë nuk ka qenë e interesuar për një zgjidhje paqësore”, tha ai.

“Pas 24 shkurtit, Kozak-ut iu dha letra e bardhë. Ia dhën dritën e gjelbër, ai e arriti marrëveshjen. E ktheu atë dhe i thanë që të largohej. Gjithçka u anulua. Putini thjesht e ndryshoi planin gjatë rrugës”, tha njëri nga burimet e afërta me udhëheqësinë ruse.

Burimi i tretë – i cili mori informata për ngjarjet nga njerëzit e informuar për diskutimet mes Kozak-ut dhe Putin-it – përshkroi periudhë tjetër kohore, duke thënë se ndihmësi ia kishte propozuar marrëveshjen presidentit rus dhe ajo i ishte refuzuar para fillimit të luftës. Të gjitha burimet kërkuan anonimitet për t’i shpërndarë këto të dhëna të brendshme të ndjeshme.

Edhe nëse Putini do ta zbatonte planin e Kozak-ut, mbetet e paqartë nëse lufta do të kishte përfunduar. Agjencia “Reuters” nuk ka mundur që të vërtetojë në mënyrë të pavarur nëse për zbatimin e kësaj marrëveshjeje ishin zotuar presidenti ukrainas ose ndonjë zyrtar i lartë i vendit të tij./Nacionale

Lajme të ngjashme