Në Britani linden tetë foshnja me ADN të tre personave – pa sëmundje të trashëgueshme - NACIONALE

Në Britani linden tetë foshnja me ADN të tre personave – pa sëmundje të trashëgueshme

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Tetë foshnja janë lindur në Britaninë e Madhe duke përdorur material gjentik nga tre njerëz për t’i parandaluar sëmundjet e rënda dhe shpesh fatale, thonë mjekët.

Kjo metodë, e zhvilluar nga disa shkencëtarë britanikë, i kombinon qelizën vezë dhe spermën nga një nënë dhe baba me një qelizë tjetër vezë nga një grua tjetër, raporton televizioni BBC.

Teknika ka qenë e ligjshme qe një dekadë, por tani del dëshmia e parë se kjo formë e sjell lindjen e foshnjave që nuk kanë sëmundje të pashërueshme mitokondriale.

Këto sëmundje zakonisht trashëgohen nga nëna të fëmija, duke ia shterur energjinë trupit. Kjo mund të shkaktojë të meta serioze dhe disa foshnja vdesin brenda disa ditëve pas lindjes. Çiftet tani e dinë se janë në rrezik, nëse fëmijët e mëparshëm, anëtarët e familjes ose nëna ka qenë e prekur.

Fëmijët e lindur përmes teknikës me tre persona e trashëgojnë shumicën e ADN-së të tyre, karakteristikat gjenetike, nga prindërit, por gjithashtu marrin një sasi të vogël – 0,1 për qind – nga gruaja e dytë. Ky është një ndryshim që kalon në gjenerata.

Asnjëra nga familjet që kanë qenë pjesë e procesit nuk do të flasin publikisht për ta mbrojtur privatësinë, por kanë lëshuar deklarata anonime përmes Qendrës së Fertilitetit në Neëcastle, ku janë kryer procedurat.

“Pas viteve me paqartësi, ky trajtim na dha shpresë dhe pastaj na e dha foshnjën tonë” – tha nëna e një vajze. “I shikojmë ata tani, plot jetë dhe mundësi dhe jemi plot mirënjohje” – shtoi ajo.

Nëna e një foshnjeje të gjinisë mashkullore tha: “Duke iu falënderuar këtij avancimi të pabesueshëm dhe përkrahjes që e kemi marrë, familja jonë e vogël është kompletuar. Barra emocionale e sëmundjes mitokondriale është hequr dhe në vendin e saj janë shpresa, hareja dhe mirënjohja e thellë.”

Mitokondriet janë struktura shumë të vogla që ndodhen në gati secilën qelizë. Ato e mundësojnë frymëmarrjen, pasi e përdorin oksigjenin për ta shndërruar ushqimin në formë të energjisë, të cilën trupat tanë e përdorin si karburant.

Mitokondriet me problem mund ta lënë trupin me energji të pamjaftueshme për t’i mbajtur të rrahurat e zemrës si dhe mund të shkaktojnë dëme në tru, verbërim, dobësim të muskujve dhe dështim të organeve./Nacionale

Lajme të ngjashme