Në Britani lëshohet paralajmërim për vapë ekstreme për Anglinë dhe Uellsin - NACIONALE

Në Britani lëshohet paralajmërim për vapë ekstreme për Anglinë dhe Uellsin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shërbimi britanik i motit të martën lëshoi paralajmërim për vapë ekstreme për disa pjesë të Anglisë dhe Uellsit. Mbretëria e Bashkuar është ballafaquar këtë verë me mot të thatë e temperatura rekorde, që kanë shkaktuar zjarre në natyrë.

Paralajmërimi i dytë më serioz do të jetë në fuqi nga e enjtja deri të dielën dhe nënkupton që personat e ndjeshëm ndaj vapës së madhe mund të pësojnë efekte negative shëndetësore, tha Zyra e Meteorologjisë.

Temperatura pritet të arrijë në 35 gradë të premten dhe 36 gradë në disa vende të shtunën, shkruan “Reuters”.

Ky paralajmërim erdhi pas korrikut më të thatë në Angli që nga viti 1935, kur temperatura për herë të parë shkoi në 40 gradë, duke e vënë përsëri në pah ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Vala e vapës në korrik shkaktoi ndërprerje rryme, dëmtoi pista aeroplanësh e binarë hekurudhash e shkaktoi dhjetëra zjarre në Londër, ku zjarrfikësit u ballafaquan me javën më të ngarkuar që nga Lufta e Dytë Botërore.

Disa kompani uji kanë vendosur kufizime për përdorim, ndërsa në dyqanet e kanë kufizuar shitjen e skarave, për të cilat zjarrfikësit kanë paralajmëruar që mund ta ndezin barin e tharë. Shërbimet ambulantore kanë pranuar qindra thirrje nga pacientët që kishin probleme me frymëmarrje, marramendje e të fikët.

Në paralajmërimin e ri për vapë përfshihen pjesë të konsiderueshme të Anglisë jugore dhe disa pjesë të Uellsit lindor.

Shkencëtarët kanë thënë se vala e vapës e korrikut ishte bërë të paktën dhjetë herë më e mundshme për shkak të ndryshimeve klimatike./Nacionale

Lajme të ngjashme