Ndihmësi i Putinit thotë se NATO-ja dhe Perëndimi e ndihmuan sulmin ukrainas ndaj Rusisë - NACIONALE

Ndihmësi i Putinit thotë se NATO-ja dhe Perëndimi e ndihmuan sulmin ukrainas ndaj Rusisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nikolai Patrushev, ndihmës me ndikim i presidentit rus, Vladimir Putin, tha të premten që Perëndimi dhe NATO-ja kanë qenë drejtpërdrejt të përfshira në planifikimin e sulmit të befasishëm të Ukrainës në rajonin Kursk të Rusisë.

Sulmi i trupave ukrainase në Rusi nisi më 6 gusht, kur mijëra ushtarë e kaluan kufirin perëndimor rus dhe i shkaktuar ushtrisë së Putinit një turpërim të konsiderueshëm, raporton agjencia “Reuters”.

Shtetet e Bashkuara dhe fuqi të tjera perëndimore, të interesuara për ta shmangur ballafaqimin e drejtpërdrejtë me Rusinë, kanë thënë se Ukraina nuk u kishte dhënë njoftim paraprak dhe se Uashingtoni nuk ishte i përfshirë, edhe pse është raportuar se në tokën ruse janë përdorur armë të ofruara nga Britania dhe ShBA-ja.

Patrushevi i hodhi poshtë pohimet e Perëndimit në një intervistë me gazetën “Izvestia”.

“Operacioni në rajonin Kursk ishte gjithashtu i planifikuar me pjesëmarrjen e NATO-s dhe të shërbimeve speciale perëndimore. Pa pjesëmarrjen dhe përkrahjen e tyre të drejtpërdrejtë, Kievi nuk do ta bënte këtë sprovë drejt territorit rus” – citohet të ketë thënë ai.

Komentet e njërit prej “luftëtarëve të Luftës së Ftohtë” që ka ndikim në Kremlin lënë të kuptohet se hyrja e parë e forcave ukrainase në territorin rus që nga fillimi i luftës më 2022 bart rrezik të lartë për eskalim.

“Përpjekjet e Uashingtonit i kanë krijuar të gjitha parakushtet që Ukraina ta humbë sovranitetin e saj dhe të humbë pjesë të territoreve të veta” – shtoi Patrushevi.

Komandanti i ushtrisë ukrainase tha të enjten se forcat e tij kishin hapur një zyrë të komandës ushtarake në pjesën e rajonit Kursk të Rusisë ku ai tha se trupat ukrainase ishin ende duke përparuar, edhe pse ushtria ruse e ashpërsoi ofensivën e saj në lindje të Ukrainës.

ShBA-ja deri më tani e konsideron sulmin e befasishëm të Ukrainës si lëvizje mbrojtëse në të cilën Kievit i lejohet përdorimi i pajisjeve amerikane, kanë thënë zyrtarët në Uashington./Nacionale

Lajme të ngjashme