Ndërmjetësit i kanë shtuar përpjekjet për armëpushim në Gaza, thotë zyrtari i lartë i Hamasit
Një zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë televizionit BBC se ndërmjetësit i kanë shtuar përpjekjet e tyre për të ndërmjetësuar një marrëveshje për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve në Gaza, por se bisedimet me Izraelin mbeten në ngërç.
Komentet e tij erdhën pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se “progres i madh” është duke u bërë në këtë drejtim që nga koha kur Izraeli dhe Irani i dhanë fund luftës së tyre 12-ditore të martën dhe se emisari i tij, Steve Witkoff, mendon se një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit është “shumë afër”, raporton televizioni BBC.
Sulmet izraelite në mbarë Gazën të mërkurën lanë të vrarë të paktën 45 palestinezë, përfshirë disa që ishin duke kërkuar ndihma, tha Ministria e Shëndetësisë, e cila drejtohet nga Hamasi.
Ndërkohë, ushtria izraelite ka njoftuar se shtatë ushtarë të saj u vranë nga një sulm me bombë të martën në Gaza. Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë Hamasi.
Zyrtari i lartë i Hamasit i tha BBC-së se ndërmjetësit ishin “të angazhuar në kontakte intensive me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi”, por shtoi se grupi “nuk ka pranuar ende ndonjë propozim të ri deri më tani”.
Një zyrtar izraelit i tha gazetës “Haaretz” se nuk ka pasur progres në bisedime dhe se pika të rëndësishme të mosmarrëveshjes mbeten të pazgjidhura.
Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe Egjiptit për të arritur një marrëveshje armëpushimi ngecën në fund të majit, kur emisari Witkoff tha se Hamasi kishte kërkuar amendamente “tërësisht të papranueshme” në një propozim të ShBA-së të përkrahur nga Izraeli për armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit do të liroheshin gjysma e pengjeve izraelite të gjalla dhe gjysma e të vdekurve.
Izraeli e rinisi ofensivën e tij ushtarake në Gaza më 18 mars, duke i dhënë fund një armëpushimi 2-mujor, duke thënë se donte t’i bënte presion Hamasit për t’i liruar pengjet. 50 pengje ndodhen ende në Gaza dhe të paktën 20 prej tyre besohet se janë ende gjallë./Nacionale