Ndaloi një biznesmen britaniak, Mali fiton 160 milionë dollarë nga mosmarrëveshja për arin - NACIONALE

Ndaloi një biznesmen britaniak, Mali fiton 160 milionë dollarë nga mosmarrëveshja për arin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një kompani australiane e minierave, “Resolute Mining”, ka thënë se do t’i paguajë qeverisë ushtarake të Malit 160 milionë dollarë për të zgjidhur një mosmarrëveshje për taksa, pasi shefi britanik i kompanisë dhe dy pjesëtarë të stafit u ndaluan në mënyrë të papritur para dhjetë ditëve.

Në raportime thuhet se Terry Holohan dhe kolegët e tij u arrestuan gjatë udhëtimit të tyre drejt kryeqytetit Bamako, për atë që ata prisnin se do të ishin bisedime rutinore, raporton televizioni BBC.

Kompania “Resolute Mining”, që ka në pronësi një minierë ari në Mali, tha të dielën se do të paguante 80 milionë dollarë menjëherë nga rezervat ekzistuese të parave të gatshme, ndërsa pjesën tjetër në muajt e ardhshëm.

Mali është njëri nga prodhuesit më të mëdhenj të arit në Afrikë dhe po synon që të sigurojë të hyra më të mëdha nga operatorët e huaj në këtë sektor.

Nuk është ende e qartë se kur do të lirohen tre punëtorët e kompanisë “Resolute Mining”. Në mesin e kushteve për lirimin e tyre ishte kushti që ata duhet të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi dhe ta kryejnë pagesën fillestare, sipas një raporti të televizionit francez, RFI.

Autoritetet ushtarake në Mali i ndaluan tre personat nën akuzat për falsifikim dhe dëmtim të pronës publike, që shihen si përpjekje për ta shantazhuar kompaninë australiane në kohën e shtypjes së vazhdueshme ndaj kompanive – kryesisht perëndimore – të minierave në shtetin e Afrikës Perëndimore.

Që nga marrja e pushtetit përmes puçit më 2021, qeveria ushtarake është munduar që t’i ripërcaktojë marrëdhëniet politike dhe tregtare me partnerët ndërkombëtarë.

Lajme të ngjashme