Ndalimi i seksit jashtëmartesor, sulm kamikaz në Indonezi
Një person i zemëruar nga kodi i ri penal në Indonezi që ndalon marrëdhëniet seksuale jashtë martesës si dhe fyerjet ndaj presidentit, ka hedhur veten në erë në një stacion policie duke vrarë një person e duke lënë të plagosur 11 të tjerë.
Agus Sujatno, 34 vjeç, një militant islamik i dënuar më parë për prodhimin e bombave, ishte liruar nga burgu vitin e kaluar, ndërsa sipas DailyMail ai gjatë ditës ka hyrë në një stacion policie me një motoçikletë duke shpërthyer një bombë.
Bëhet e ditur se pas sulmit, detektivët kanë gjetur në motoçikletën e tij dhjetëra copa letre të bardha në të cilat protestohej kundër kodit të ri penal të vendit, të miratuar ditën e martë.
Sipas shefit të policisë së ishullit kryesor të Java-s, në njërën nga letrat e gjetura shkruhej se, "Kodi penal është ligji i të pafeve, le të luftojmë zbatuesit e ligjit satanik".
Kodi i ri penal i miratuar nga Parlamenti i Indonezisë, ndalon seksin jashtë martesës dhe fyerjen e presidentit e institucioneve shtetërore. Por, analistët thonë se, megjithëse në ligjin e ri ka dispozita të bazuara në sheriat, ekstremistët islamikë mund të jenë zemëruar nga nene të tjera që mund të përdoren për të goditur përhapjen e ideologjive ekstremiste.
Disa ekstremistë islamikë kanë bërë thirrje për zbatimin e ligjit të sheriatit në Indonezi, vend ku zyrtarisht veç islamit njihen edhe pesë fe të tjera.
Sujatno, i njohur gjithashtu me pseudonimin Abu Muslim, ishte i lidhur me grupin e frymëzuar nga Shteti Islamik, Jamaah Ansharut Daulah (JAD) dhe ishte liruar nga burgu vitin e kaluar ku ishte burgosur me akuza për terrorizëm.
Indonezia ka luftuar me militantët islamikë që nga bombardimet në ishullin turistik të Balit në vitin 2002, ku mbetën të vrarë 202 persona, kryesisht të huaj. E këto sulme që synonin të huajt, vitet e fundit janë zëvendësuar me sulme me të vogla e më pak vdekjeprurëse që për synim kanë qeverinë, policinë, forcat anti-terroriste dhe njerëzit që militantët i konsiderojnë të pafe.
