Ndalimi i abortit në ShBA, gratë bëjnë thirrje për "grevë seksi mbarëkombëtar"
Në shenjë proteste ndaj vendimit të marrë nga Gjykata Supreme për ndalimin e abortit në ShBA, gratë kanë paralajmëruar se nuk do të kryejnë më marrëdhënie seksuale me meshkujt.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, protestat kanë nisur që ditën e premte pas marrjes së vendimit për të përmbysur të drejtën federale të femrave për abort. Ndërsa tani pritet që edhe 26 shtete të kufizojnë ose ndalojnë plotësisht abortet.
E pas këtyre vendimeve, disa gra kanë nisur të bëjnë thirrje për ndalimin e seksit “derisa të ipet e drejta për abort”, ndërsa thirrjet për një “grevë seksuale mbarëkombëtare” janë shpërndarë dhe kanë marrë vrull në rrjetet sociale.

Pas vendimit të gjykatës, 13 shtete kanë ligje për ta ndaluar abortin, ndër to janë: Arkansas, Idaho, Kentucky, Louisiana, Mississippi, Missouri, Dakota Veriore, Oklahoma, Dakota Jugore, Teksasi, Tennessee, Utah dhe Wyoming.
Ndërsa, ndalimi i abortit tashmë është në fuqi në të paktën gjashtë shtete: Arkansas, Kentucky, Louisiana, Missouri, Oklahoma dhe Dakota Jugore.
Pas ndalimit të abortit, gratë ose do të detyrohen ta vazhdojnë shtatzëninë, t’i nënshtrohen ndonjë aborti të fshehtë, të marrin pilula aborti ose të udhëtojnë në një shtet tjetër ku ai mbetet i ligjshëm.