NATO nis stërvitjet në Detin Baltik, pjesë e tyre edhe Finlanda e Suedia
NATO ka filluar sot një stërvitje detare gati dy-javore të udhëhequr nga SHBA në Detin Baltik, me më shumë se 7,000 marinarë nga 16 vende, duke përfshirë Finlandën dhe Suedinë.
Stërvitja vjetore detare BALTOPS, e nisur në vitin 1972, nuk mbahet si përgjigje ndaj ndonjë kërcënimi specifik, por aleanca ushtarake tha se "me Suedinë dhe Finlandën që marrin pjesë, NATO po shfrytëzon mundësinë në një botë të paparashikueshme për të rritur qëndrueshmërinë dhe forcën e saj.”
Finlanda dhe Suedia kanë të dyja një histori të gjatë mosangazhimi ushtarak përpara se qeveritë e tyre të vendosnin të aplikonin për t'u bashkuar me NATO-n në muajin maj, një vendim ky i lidhur drejtpërdrejt me pushtimin rus të Ukrainës.
Kujtojmë se, gjatë viteve të fundit, Moska ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur Helsinkin dhe Stokholmin kundër bashkimit me aleancën ushtarake perëndimore dhe tani ka paralajmëruar masa hakmarrëse nëse ato do të bashkohen.
Përpara stërvitjes detare, e cila përfshinte 45 anije dhe 75 avionë, zyrtari më i lartë ushtarak amerikan tha në Suedi, se ishte veçanërisht e rëndësishme që NATO të tregonte mbështetje për qeveritë në Helsinki dhe Stokholm.
“Është e rëndësishme për ne, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të NATO-s të tregojmë solidaritet me Finlandën dhe Suedinë në këtë stërvitje,” tha gjenerali amerikan Mark Milley, Kryetar i Shtabit të Përbashkët
Milley, duke folur me kryeministren suedeze Magdalena Andersson, theksoi se Deti Baltik është një trup ujor strategjikisht i rëndësishëm - "një nga rrugët më të mëdha detare të botës".
Ai tha se nga këndvështrimi i Moskës, anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të jetë "shumë problematik" dhe do ta lërë Rusinë në një pozitë të vështirë ushtarake pasi vija bregdetare e Detit Baltik do të rrethohet pothuajse plotësisht nga anëtarët e NATO-s, me përjashtim të enklavës balltike të Rusisë të Kaliningradit dhe qytetit rus të Shën Petersburgut.
Si partnerë të ngushtë të NATO-s, Finlanda dhe Suedia kanë marrë pjesë në stërvitjen detare që nga mesi i viteve 1990.
Stërvitja BALTOPS 22 është planifikuar të përfundojë në portin gjerman të Kiel më 17 qershor.