Motra e liderit suprem të Iranit e dënon pushtetin e tij, kërkon çarmatosje të Rojave Revolucionare
Një motër e liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, e ka dënuar shtypjen e protestave mbarëkombëtare dhe ka bërë thirrje që Rojat Revolucionare t’i ulin armët, sipas një letre të publikuar nga i biri i saj, i cili jeton në Francë.
Irani është përfshirë nga trazirat që nga vdekja e kurdes 22-vjeçare, Mahsa Amini, gjatë mbajtjes në ndalim policor më 16 shtator, dhe është duke u ballafaquar me një lëvizje për grevë të përgjithshme treditore, e cila filloi të hënën, raporton agjencia "Reuters".
Badri Hosseini Khamenei, e cila jeton në Iran, e kritikoi pushtetin klerikal duke filluar nga koha e themeluesit të ndjerë të Republikës Islamike, Ayatollah Ruhollah Khomeini, deri te pushteti i vëllait të saj, thuhet në letrën në të cilën shkruhet “dhjetor 2022”.
“Mendoj se është gjë e duhur tani që të deklaroj se unë i kundërshtoj veprimet e vëllait tim dhe e shpreh keqardhjen time me të gjitha nënat që janë duke mbajtur zi për krimet e Republikës Islamike, nga koha e Khomeinit deri në epokën e tanishme të kalifatit despotik të Ali Khameneit”- thuhet në letrën e publikuar të mërkurën nga djali i saj, Mahmoud Moradkhani.
“Rojat Revolucionare dhe mercenarët e Ali Khameneit duhet t’i ulin armët e tyre sa më shpejt që është e mundshme dhe t’i bashkohen popullit para se të jetë tepër vonë”- thuhet më tej në letër.
Rojat Revolucionare të Iranit janë forcë elite e vendit. Ky institucion ka dhënë ndihmë për formimin e forcave aleate në pjesë të ndryshme të Lindjes së Mesme dhe udhëheq një perandori të madhe biznesi.
Muajin e kaluar, mbesa e Khameneit, Farideh Moradkhani, u arrestua nga autoritetet, pasi u bëri thirrje qeverive të huaja që t’i shkëputin të gjitha lidhjet me Teheranin.
