Motra e Kimit të Koresë Veriore e fyen Bidenin: Person në matufosje, plak pa të ardhme
Motra e udhëheqësit të Koresë Veriore, Kim Jong Un, ka thënë se vendi i saj do të organizojë më shumë shfaqje të fuqisë ushtarake si kundërpërgjigje ndaj marrëveshjes së re mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Jugore për mbrojtje bërthamore dhe i krahasoi komentet e presidentit amerikan, Joe Biden, për këtë ujdi si “deklarata të pakuptimta nga një person në matufosjen e vet”.
Komentet e saj erdhën pas samitit mes presidentëve të ShBA-së dhe Koresë Jugore, Joe Biden dhe Yoon Suk-yeol, i cili u mbajt të mërkurën. Presidenti amerikan tha më vonë se çfarëdo sulmi bërthamor i Koresë Veriore ndaj ShBA-së ose aleatëve të saj “do të rezultonte në fundin e çfarëdo regjimi” që do ta kishte marrë atë vendim, raporton gazeta “The Guardian”.
Kim Yo-jong tha se Bideni “po llogarit shumë keq dhe është i guximshëm në mënyrë të papërgjegjshme”. “Kjo mund të merret si deklaratë e pakuptimtë nga një person në matufosjen e vet, i cili nuk është aspak i aftë që të marrë përgjegjësi për sigurinë dhe të ardhmen e Shteteve të Bashkuara, një plak pa të ardhme, sepse është tepër për të që të shërbejë edhe në dy vitet e mbetura të mandatit të tij”- tha ajo, sipas agjencisë së lajmeve në Korenë Jugore, “Yonhap”.
Motra e Kimit tha se marrëveshja mes ShBA-së dhe Koresë Jugore e pasqyron “vullnetin më armiqësor dhe më agresiv për veprim” kundër Veriut dhe do t’i shtyjë paqen dhe sigurinë rajonale drejt një rreziku më serioz.
“Sa më shumë që armiqtë janë të vendosur fort për organizimin e ushtrimeve për luftë bërthamore dhe sa më shumë asete bërthamore dislokojnë ata në afërsinë e Gadishullit Korean, aq më i fuqishëm do të bëhet ushtrimi i të drejtës sonë për vetëmbrojtje në masë të drejtpërdrejtë me ta”- shtoi ajo.
Që nga fillimi i vitit 2022, Koreja Veriore ka testuar rreth 100 raketa, përfshirë shfaqjet e raketave balistike ndërkontinentale, të cilat mund të arrijnë në territorin e Shteteve të Bashkuara, dhe një varg lëshimesh të raketave me rreze të shkurtër, të cilat Koreja Veriore i ka përshkruar si sulme të simuluara bërthamore ndaj Koresë Jugore.
