Motra e Kimit të Koresë e refuzon ofertën e ShBA-së për dialog, zotohet për më shumë satelitë
Motra e udhëheqësit të Koresë Veriore, Kom Jong Un, të enjten i refuzoi thirrjet e ShBA-së për rikthim në diplomaci dhe e kritikoi ashpër dënimin e lëshimit të satelitit spiun të vendit të saj para disa ditëve, duke u zotuar për më shumë lëshime të tilla, që përbëjnë shkelje të rezolutave të OKB-së.
Gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së këtë javë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, e quajti “të pamatur e të paligjshëm” lëshimin e satelitit nga Koreja Veriore, duke shtuar se ky veprim i kërcënon fqinjët e shtetit aziatik. Megjithatë, ajo e përsëriti ofertën e ShBA-së për dialog pa asnjë parakusht, duke thënë se Koreja Veriore mund t’i zgjedhë “kohën dhe temën”.
Motra e Kimit, që është edhe zyrtare e lartë, Kim Yo Jong, e refuzoi ofertën e Shteteve të Bashkuara dhe kërcënoi me lëshime të tjera të satelitëve e armëve të tjera, raporton agjencia “Associated Press”.
“Sovraniteti i një shteti të pavarur nuk mund të jetë kurrë artikull agjente për bisedime, prandaj, [Koreja Veriore] nuk do të ulet kurrë sy më sy me ShBA-në për këtë qëllim”- thuhet në një deklaratë të saj, të publikuar nga mediat shtetërore.
“[Koreja Veriore] do të vazhdojë që të bëjë përpjekje për të zhvilluar gjithçka që u përket të drejtave të saj sovrane dhe do të vazhdojë që t’i ushtrojë të drejtat sovrane, të cilat i gëzojnë të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, në mënyrë dinjitoze, pa qenë e kufizuar në të ardhmen, gjithashtu”- shtoi motra e Kimit.
Disa rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ia ndalojnë Koresë Veriore lëshimin e pajisjeve me teknologji balistike, si testimet e raketave dhe lëshimi i satelitëve. Megjithatë, Koreja Veriore ka argumentuar se ka të drejta sovrane për të lëshuar satelitë spiunë dhe për të testuar raketa balistike për shkak të atyre që i quan kërcënime ushtarake të udhëhequra nga ShBA-ja. Ushtrimet e përbashkëta ushtarake mes ShBA-së dhe Koresë Jugore i sheh si ushtrime për pushtimin e saj dhe shpesh kundërpërgjigjet me testim të armëve.
Kim Yo Jong-u tha se takimi i së hënës i Këshillit të Sigurimit u organizua “me kërkesën në formë të bandave të ShBA-së dhe ndjekësve të saj”. Ajo tha se ambasadorja amerikane së pari duhet të shpjegojë pse asetet strategjike të ShBA-së janë shfaqur shpesh në portet e Koresë së Jugut, e jo ta paraqesë si “ilegal” lëshimin e satelitit nga Korea Veriore.
