“Mos prisni asgjë”: Ukrainasit skeptikë se takimi Trump – Putin do të ndihmojë - NACIONALE

“Mos prisni asgjë”: Ukrainasit skeptikë se takimi Trump – Putin do të ndihmojë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kur presidenti amerikan, Donald Trump, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, të takohen këtë javë në Alaskë për të biseduar rreth përfundimit të luftës në Ukrainë, shumë njerëz do të presin ndonjë përparim të madh, por ukrainasit që folën për Radion "Evropa e Lirë" nuk mendojnë kështu.

Pas më shumë se tri viteve luftë, bisedimeve të paqes që nisnin e ngecnin, afateve që s’respektoheshin e mijëra të vdekurve në kohën kur Ukraina po lufton që t’iu kundërvihet trupave pushtuese ruse, optimizmi se do të ketë progres në bisedimet e 15 gushtit – të paktën deri më tani – duket se nuk u përket edhe ukrainasve.

“E dini, nuk ka shumë shpresë për ndonjë zhvillim pozitiv” – tha një burrë në Kiev. “Mendoj se është vetëm një fazë e re në zinxhirin e afateve dhe kam frikë se kjo gjë do të zgjasë gjatë pjesës tjetër të mandatit aktual të presidentit amerikan” – shtoi ai.

Para takimit, Uashingtoni duket se po i përgatit Kievin e Moskën për kompromise të mëdha për t’i dhënë fund luftës. Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka paralajmëruar se cilado marrëveshje e paqes me gjasë do t’i lërë “të palumtura” të dyja palët.

Rusia vazhdimisht i ka dhënë përgjigje të ftohtë idesë së takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke sugjeruar se një gjë e tillë duhet të ndodhë vetëm kur palët të jenë afër nënshkrimit të marrëveshjes së paqes, e jo vetëm për një pakt armëpushimi.

“Nuk pres asgjë prej tij [takimit mes Trumpit e Putinit]. Unë pres diçka vetëm nga ushtria ukrainase” – tha një grua në kryeqytetin Kiev.

Udhëtimi në Shtetet e Bashkuara është gjithashtu një fitore e vogël për Putinin, ndaj të cilit Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhërarrest nën dyshimin për krime lufte. Vendet anëtare të kësaj gjykate janë të detyruara që ta arrestojnë presidentin rus, nëse shkel në territorin e tyre, por ShBA-ja nuk është anëtare dhe administrata e Trumpit është haptas armiqësore ndaj gjykatës me seli në Hagë.

Një grua tha se, përderisa nuk pret ndonjë progres si rezultat i takimit mes Trumpit e Putinit, ndoshta presidenti amerikan do të jetë në gjendje që ta shtyjë Putinin në rrugën drejt paqes.

“Nuk pres asgjë më” – tha ajo, megjithatë duke shtuar: ‘Ende shpresoj për diçka dhe shoqet e mia gjithashtu shpresojnë… se Trumpi do të bëjë diçka.”

Presidenti amerikan ka thënë se, në takim, Putinit do t’i thotë: “Duhet t’i japësh fund kësaj lufte.”/Nacionale

Lajme të ngjashme