“Mos gaboni”; “Jeni rreshtuar me agresorin”: ShBA-ja e Irani përplasen ashpër në OKB - NACIONALE

“Mos gaboni”; “Jeni rreshtuar me agresorin”: ShBA-ja e Irani përplasen ashpër në OKB

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara thanë të martën në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se nuk kërkojnë konflikt me Iranin, por sekretari i Shtetit, Antony Blinken, paralajmëroi se Uashingtoni do të vepronte shpejt dhe në mënyrë vendimtare, nëse Irani ose prokurat e tij e sulmojnë personelin amerikan në çfarëdo vendi. Irani u kundërpërgjigj pak më vonë.

Blinkeni foli në mbledhjen e organit me 15 shtete anëtare në kohën e frikës së komunitetit ndërkombëtar që konflikti mes Izraelit e Hamasit të mbështetur nga Irani në Rripin e Gazës mund të shndërrohet në luftë më të gjerë, duke e tërhequr Hezbollahun e armatosur rëndë, që gjithashtu përkrahet nga Teherani, raporton agjencia “Reuters”.

“Shtetet e Bashkuara nuk kërkojnë konflikt me Iranin. Nuk duam që kjo luftë të zgjerohet, por nëse Irani ose prokurat e tij e sulmojnë personelin e ShBA-së kudo qoftë, mos gaboni: Ne do t’i mbrojmë njerëzit tanë, do ta mbrojmë sigurinë tonë: shpejt dhe vendosmërisht”- deklaroi kryediplomati amerikan.

Shtetet e Bashkuara janë duke ndërmarrë hapa të rinj për t’i mbrojtur trupat e tyre në Lindje të Mesme, përderisa po shtohet shqetësimi për sulme nga grupet e përkrahura nga Irani, i thanë agjencisë “Reuters” disa zyrtarë. ShBA-ja ka dërguar edhe luftanije e aeroplanë luftarakë në rajon në përpjekje për t’i frenuar Iranin e grupet e mbështetura nga ky shtet, përfshirë dy aeroplanmbajtëse.

Blinkeni u bëri thirrje të gjitha shteteve që të dërgonin një porosi të bashkuar te cilido shtet ose grup që mund të jetë duke e shqyrtuar hapjen e një fronti tjetër në konfliktin kundër Izraelit ose që mund t’i vendosë në shënjestër partnerët e Izraelit, përfshirë Shtetet e Bashkuara. “Mos hidhni benzinë në zjarr”- tha ai.

Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, tha më vonë të martën në Këshillin e Sigurimit se Blinkeni ishte munduar që gabimisht ta fajësonte Iranin për konfliktin Izrael – Hamas dhe se Teherani kategorikisht i refuzon “akuzat e pabaza” të diplomatit amerikan.

“Përkushtimi ynë ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal mbetet i palëkundshëm. ShBA-ja e ka përkeqësuar më tej konfliktin duke e rreshtuar haptazi veten me agresorin në kurriz të popullsisë së pafajshme palestineze”- tha Iravani.

Duke qëndruar në krah të homologëve arabë, ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi, u tha gazetarëve në OKB se mundësia për përhapjen e konfliktit është “rrezik real”.

“Po bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndalur këtë (përhapjen). Ekziston rreziku që kjo të zgjerohet në Bregun Perëndimor, në Liban, në fronte të tjera. Asnjëri nga ne nuk e do këtë, të gjithë po punojmë kundër kësaj”- tha kryediplomati jordanez.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, apeloi të martën që civilët të mbrohen gjatë konfliktit mes Izraelit e Hamasit, duke shprehur shqetësim për “shkeljet e qarta të së drejtës humanitare ndërkombëtare” në Rripin e Gazës.

Lajme të ngjashme