Mjekja ukrainase i përshkruan torturat e rusëve: “vuajtje të ferrit” - NACIONALE

Mjekja ukrainase i përshkruan torturat e rusëve: “vuajtje të ferrit”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një mjeke vullnetare ukrainase, e cila është mbajtur peng tre muaj nga forcat ruse në qytetin e rrethuar ukrainas, Mariupol, u tregoi ligjvënësve amerikanë se si i ngushëllonte të burgosurit e tjerë përderisa ata po vdisnin nga tortura dhe nga plagët e trajtuara në mënyrë jo të duhur.

Ukrainasja Yuliia Paievska, e cila ishte kapur nga forcat pro-ruse në Mariupol në mars në vende të ndrushme të territorit të kontrolluar nga aleatët e Rusisë në rajonin ukrainas, Donetsk, foli para ligjvënësve të Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që njihet edhe si Komisioni i Helsinkit, agjenci qeveritare e krijuar pjesërisht për ta promovuar respektimin ndërkombëtar të të drejtave të njeriut.

Rrëfimi i saj të enjten ishte përshkrimi më i hollësishëm publik i trajtimit në mbajtje, në ato që ukrainasit dhe grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut thonë se janë ndalime të gjera të luftëtarëve e civilëve ukrainas nga forcat e Rusisë.

E njohur për ukrainasit me nofkën Taira, Paievska dhe kujdesi i saj për të plagosurit e Mariupolit gjatë pushtimit rus morën vëmendje globale, pasi pamjet e siguruara përmes kamerës së vendosur në trup iu ofruan agjencisë “Associated Press”.

“A e di pse jua bëjmë këtë juve”, e pyeti një rus mjeken ukrainase përderisa e torturonte, rrëfeu ajo para komisionit. Paievska tregoi se si ishte përgjigjur rusit: “Sepse mundeni.”

Ajo e vazhdoi përshkrimin shumë prekës të vuajtjeve të njerëzve të tjerë. Një djalë 7-vjeçar i vdiq në prehër, sepse mjekes i mungonin të gjitha pajisjet mjekësore që nevojiteshin për trajtimin e vogëlushit.

Seancat e torturimit fillonin zakonisht me detyrimin e të burgosurve për t’i hequr rrobat e tyre, para se rusët ta fillonin përgjakjen dhe mundimin e të ndaluarve, tha Taira.

“Disa të burgosur nëpër qeli bërtitnin me javë dhe pastaj vdisnin nga tortura pa asnjë ndihmë mjekësore. Pastaj, në këtë mundim të ferrit, gjërat e vetme që ata i ndiejnë para vdekjes janë abuzimi dhe rrahja shtesë”, shtoi ajo.

Paievska tha se u dërgua në mbajtje, pasi ishte ndalur për një kontrollim të rëndomtë dokumentesh. Ajo ishte njëra nga mijëra ukrainasit që besohet se janë burgosur nga forcat ruse. Kryetari i Mariupolit tha se 10.000 njerëz vetëm nga ky qytet janë zhdukur gjatë rrethimit disamujor rus. Qyteti ra në duart e rusëve në prill. Gjatë rrethimit, pothuajse i tërë vendbanimi u shkatërrua e numri i të vdekurve nuk dihej.

Sipas Konventave të Gjenevës, mjekët – edhe civilë, edhe ushtarakë – janë të veçuar për mbrojtje në të gjitha rrethanat. Senatori Ben Cardin, bashkëdrejtues i Komisionit të Helsinkit, theksoi se kushtet, që mjekja i përshkroi për të ndaluarit civilë e ushtarakë, përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar./Nacionale

Lajme të ngjashme