Mjekët raportojnë për tre palestinezë të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza
Sulmet izraelite lanë të vrarë të paktën tre palestinezë, përfshirë një fëmijë, dhe plagosën disa të tjerë të martën në Rripin e Gazës, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Mjekët thanë se një palestinez u vra dhe dy të tjerë u plagosën nga një sulm ajror izraelit afër lagjes Sheikh Radwan në qytetin Gaza, ndërsa një tjetër u vra e disa u lënduan nga predhat e tankeve izraelite afër zonës qendrore të enklavës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Më vonë të martën, në shënjestër të një sulmi izraelit ishte një stacion policie në pjesën veriore të Gazës, ku u vra një fëmijë 15-vjeçar, thanë mjekët. Ministria e Brendshme, e drejtuar nga Hamasi, tha se disa policë u plagosën në këtë sulm.
Agjencia “Reuters” më parë ka raportuar se Izraeli i ka shpeshtuar sulmet ndaj forcës policore të drejtuar nga Hamasi në Gaza, të cilën grupi militant e ka përdorur për ta forcuar kontrollin në zonat që i ka nën menaxhim në enklavë.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Izraeli për ndonjërin prej incidenteve.
Dhuna në Gaza ka vazhduar pavarësisht armëpushimit të arritur në tetorin e vitit të kaluar. Izraeli ka kryer sulme pothuajse të përditshme ndaj palestinezëve. Izraeli dhe Hamasi e kanë fajësuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit.
Të paktën 830 palestinezë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, sipas mjekëve lokalë, ndërsa Izraeli thotë se militantët ia kanë vrarë katër ushtarë gjatë periudhës së njëjtë.