Mjekët raportojnë për katër të vrarë në Gaza nga zjarri izraelit
Zjarri izraelit la të vrarë të paktën katër palestinezë në incidente të ndara në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës të martën, thanë zyrtarët shëndetësorë në enklavë.
Mjekët thanë se të paktën një person u vra dhe katër të tjerë u plagosën, kur një sulm ajror izraelit goditi një automjet në Deir Al-Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një sulm tjetër më herët po të njëjtën ditë la të vrarë një person dhe plagosi një tjetër në qytezën Zawayda, shtuan ata. Më vonë të martën, një sulm ajror la të vrarë një person në një kamp tendash në Khan Younis, në jug të enklavës.
Ushtria izraelite nuk i komentoi menjëherë këto incidente.
Nga zjarri i armëve izraelite u vra edhe një burrë në qytetin Khan Younis, thanë mjekët, duke e çuar në të paktën katër numrin e të vrarëve të martën.
Ushtria izraelite tha në një deklaratë se kishin shkrepur drejt dy personave që po i afroheshin vijës së verdhë që kontrollohet nga forcat izraelite, afër qytetit Khan Younis, të martën.
Sipas të dhënave të paraqitura nga zyrtarët shëndetësorë të Gazës, rreth 930 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të tetorit. Në këto shifra nuk bëhet dallimi mes luftëtarëve dhe civilëve.
Në anën tjetër, ushtria izraelite thotë se katër ushtarë të saj janë vrarë nga militantët gjatë periudhës së njëjtë.