Mjekët që vizituan një spital të Gazës u shtangën nga pasojat e luftës ndaj fëmijëve - NACIONALE

Mjekët që vizituan një spital të Gazës u shtangën nga pasojat e luftës ndaj fëmijëve

4 javë më parë

nga NACIONALE

Një ekip ndërkombëtar i mjekëve që vizituan një spital në pjesën qendrore të Gazës ishin përgatitur për më të keqen. Megjithatë, ndikimi i tmerrshëm që lufta e Izraelit kundër Hamasit po e ka ndaj fëmijëve palestinezë prapëseprapë i shtangu.

Një fëmijë i vogël vdiq nga një lëndim në tru, që i ishte shkaktuar nga një sulm izraelit që ia kishte thyer kafkën. Fqinja e tij, foshnjë, po lufton për jetën, pasi një pjesë e fytyrës iu hodh në erë nga sulmi i njëjtë, raporton agjencia “Associated Press”.

Një djalë 10 vjeç i kërkoi me zë të lartë nga dhimbja prindërit e vet, duke mos ditur se ata ishin vrarë në sulm. Pranë tij ishte motra e vet, por nuk e njohu, sepse djegiet e mbulonin gati tërë trupin e saj.

Këto pasoja të llahtarshme iu përshkruan agjencisë “Associated Press” nga Tanya Haj-Hassan, mjeke pediatre e kujdesit intensiv nga Jordania, pas një ndërrimi 10-orësh të natës në Spitalin “Martirët e Al-Aksës” në qytezën Deir al-Balah.

Zonja Haj-Hassan, e cila ka përvojë të gjatë në Gaza dhe flet rregullisht për efektet shkatërruese të luftës, ishte pjesë e një ekipi që rishtazi përfundoi një qëndrim dyjavor atje.

Pas gati gjashtë muajve luftë, sektori shëndetësor në Gaza është shkatërruar. Rreth 12 nga 36 spitalet e Gazës janë duke funksionuar vetëm pjesërisht. Të tjerat ose janë mbyllur, ose mezi po funksionojnë pasi kanë mbetur pa karburant dhe ilaçe, u rrethuan dhe u bastisën nga trupat izraelite ose u dëmtuan gjatë luftimeve.

Kjo i lë spitalet si “Martirët e Al-Aksës” në përkujdesje të një numri dërrmues të pacientëve me furnizime e staf të kufizuar. Shumica e shtretërve në repartin e kujdesit intensiv në spital janë të zënë nga fëmijët, përfshirë foshnjat e mbështjella me fasha e me maska oksigjeni në fytyrë.

"E kalova shumicën e kohës sime këtu duke reanimuar fëmijë. Çfarë ju thotë kjo për secilin spital tjetër në Rripin e Gazës?" – tha Haj-Hassan pas një ndërrimi në punë.

Mustafa Abu Qassim, infermier nga Jordania që ishte pjesë e ekipit vizitues, tha se ai ishte shokuar nga mbingarkesa e spitalit.

“Kur shikojmë për pacientë, nuk ka dhoma. Ata janë në korridore në një shtrat, në një dyshek ose në një batanije në dysheme” – tha ai.

Para luftës, spitali kishte kapacitet me rreth 160 shtretër, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Tani atje janë rreth 800 pacientë dhe shumë prej 120 pjesëtarëve të stafit nuk mund të shkojnë më në punë.

Punëtorët e kujdesit shëndetësor ballafaqohen përditë me vështirësinë e njëjtë si të tjerët në Gaza për të gjetur ushqim për familjet e tyre dhe në përpjekje për të garantuar ca siguri për to. Shumë prej tyre i sjellin fëmijët me vete në spital për t’i mbajtur afër, tha Abu Qassim-i. “Është thjesht mjerim” – shtoi ai.

Mijëra njerëz të larguar nga shtëpitë e tyre në luftë gjithashtu po jetojnë në hapësirat e spitalit, duke shpresuar se do të jenë të sigurt aty. Spitalet kanë mbrojtje të posaçme sipas së drejtës ndërkombëtare, edhe pse këto mbrojtje mund t’u hiqen, nëse luftëtarët i shfrytëzojnë spitalet për qëllime ushtarake.

Izraeli ka pretenduar se spitalet në Gaza shërbejnë si qendra komande, vendosje të armëve dhe vend për fshehjen e anëtarëve të Hamasit, por ka paraqitur pak dëshmi pamore. Hamasi i mohon këto pretendime.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme