Ministri izraelit Smotrich thotë se prokurori i GjNP-së ka kërkuar urdhërarrest kundër tij
Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, i njohur për qëndrimet e tij të së djathtës ekstreme, tha të martën se prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP) po e kërkon lëshimin e një urdhërarresti ndaj tij në atë që e quajti “shpallje lufte”.
Në një fjalim që e mbajti në zyrën e tij në Jerusalem, Smotrich nuk tregoi pse prokuroria e kësaj gjykate po kërkon urdhërarrest, por la të kuptohej se një hap i tillë mund të ketë ardhur për shkak të zgjerimit masiv të vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor, të cilin ai e ka shtyrë përpara, raporton televizioni CNN.
Në prill, Izraeli në mënyrë sekrete miratoi më shumë se 30 pika dhe ferma të reja të kolonëve si pjesë e një fushate më të gjerë për ta rrënjosur kontrollin e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe për ta eliminuar mundësinë për themelimin e një shteti palestinez.
Në një deklaratë për televizionin CNN, GjNP-ja tha se nuk mund të komentojë dhe se kërkesat për urdhërarreste janë të klasifikuara ose konfidenciale. Procesi fillon kur një prokuror kërkon lëshim të urdhërarrestit, hap që mund të bëhet në mënyrë të fshehtë para se gjykatësit të vendosin nëse do ta miratojnë atë apo jo.
Në adresimin e tij, ministri Smotrich e quajti “revolucion” zgjerimin e vendbanimeve izraelite. Sipas tij, gjatë pushtetit të Qeverisë aktuale, Izraeli ka miratuar më shumë se 100 vendbanime të reja. Ai vazhdimisht e ka përshëndetur miratimin e vendbanimeve të reja, duke e cilësuar si hap drejt vendosjes së sovranitetit izraelit në Bregun Perëndimor dhe haptazi ka thënë se qëllim i tij është që të eliminohet çfarëdo mundësie për formimin e një shteti palestinez.
Një zyrtar izraelit i tha televizionit CNN se Izraeli beson se GjNP-ja mund të jetë duke kërkuar urdhërarreste edhe për ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, dhe ministrin e Sigurisë Kombëtare me bindje të së djathtës ekstreme, Itamar Ben Gvir. Në një deklaratë, ky i fundit tha se nuk frikësohet.