Ministri izraelit ia kthen ShBA-së për një kritikë: S’jemi veç një yll tjetër në flamurin tuaj - NACIONALE

Ministri izraelit ia kthen ShBA-së për një kritikë: S’jemi veç një yll tjetër në flamurin tuaj

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, i cili ka bindje të së djathtës ekstreme, Itamar Ben Gvir, të martën iu kundërpërgjigj ShBA-së, pasi Uashingtoni e kishte quajtur “nxitëse e të papërgjegjshme” thirrjen e tij për zhvendosjen e banorëve të Gazës jashtë enklavës.

“Shumë vlerësues për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por, me tërë respektin, ne nuk jemi veç një yll tjetër në flamurin amerikan”- shkroi në rrjetin X ministri izraelit, raporton televizioni CNN.

Ben Gviri that ë hënën se lufta e Izraelit me Hamasin paraqet “një mundësi për t’u përqendruar në inkurajimin e migrimit të banorëve të Gazës”, duke u bërë jehonë komenteve të një anëtari tjetër të koalicionit qeveritar izraelit një ditë më parë.

Në një reagim të martën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matt Miller, tha se ShBA-së “i ishte thënë në mënyrë të përsëritur e të vazhdueshme” nga Izraeli “se deklarata të tilla nuk e pasqyrojnë politikën e qeverisë izraelite”, përderisa zyrtarët po e shqyrtojnë të ardhmen e enklavës bregdetare pas përfundimit të luftës.

Duke reaguar ndaj deklaratës së zëdhënësit amerikan, Ben Gviri të martën e quajti ShBA-në “mike të mirë”, por shtoi se “emigrimi i qindra mijërave nga Gaza” do t’u lejojë ardhësve izraelitë që të kthehen dhe “të jetojnë në siguri”.

“Shtetet e Bashkuara janë mikja jonë e mirë, por në rend të parë, ne do ta bëjmë atë që është e mirë për Shtetin e Izraelit”- tha ai.

Në deklaratën e së martës, zëdhënësi Miller tha se Departamenti i Shtetit kishte qenë “i qartë, i qëndrueshëm dhe pa mëdyshje se Gaza është tokë palestineze dhe do të mbetet tokë palestineze, Hamasi pa e pasur më kontrollin e të ardhmes së saj dhe pa grupe terrori që mund ta kërcënojnë Izraelin”.

“Kjo është e ardhmja që ne e kërkojmë, në interesin e izraelitëve dhe palestinezëve, të rajonit përreth dhe botës”- shtoi ai.

Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, të dielën u bëri thirrje banorëve palestinezë që të largoheshin nga Gaza për t’u lënë vend izraelitëve, të cilët, sipas tij, “do ta bënin shkretëtirën që të lulëzonte”, raportoi agjencia “Reuters”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme