Ministri gjerman: T’ia besosh Putinit korridoret e grurit do të ishte “kamikaze”
Ukraina nuk mund të llogarisë tek Putini për ta mbajtur fjalën e tij dhe për t'u dhënë kalim të sigurt anijeve të grurit, ka thënë ministri gjerman i bujqësisë, Cem Özdemir, i cili gjithashtu premtoi fonde të reja për të mbështetur rrugët alternative të eksportit.
Bllokada ruse e porteve të Ukrainës në Detin e Zi ka bërë që vendi të mos jetë në gjendje të eksportojë shumicën e stokut të tij të drithit, duke kontribuar në mungesën e ushqimit në zonat e varura nga importi të botës dhe duke ngritur shqetësime se ku duhen ruajtur të korrat e reja që vijnë.
Kohët e fundit, Moska ka lënë të kuptohet për mundësinë e dhënies së lejes nga Kremlini për kalimin e sigurt të anijeve ukrainase të grurit përmes Detit të Zi në këmbim të lehtësimit të sanksioneve nga Perëndimi. Megjithatë, kjo është pritur me cinizëm nga Ukraina, si dhe disa nga partnerët e saj, të cilët kanë frikë se Rusia mund të abuzojë me rrugët e hapura tregtare për të sulmuar qytetet bregdetare si Odessa.
Duke folur pas një takimi me homologun e tij ukrainas, Mykola Solsky, Özdemir ka thënl se ai ndante skepticizmin e Ukrainës ndaj premtimeve të Rusisë. “Të besosh premtimet e Putinit pa pasur garanci të besueshme dhe efektive ushtarake do të ishte kamikaze për Ukrainën”, tha ai.
Pas vizitës në Poloni të mërkurën dhe të enjten (7-8 qershor), ministri gjerman udhëtoi për në Kiev të premten për të diskutuar ndihmën për Ukrainën, si dhe rrugët e sigurta për eksportet e ushqimit.
“Për sa kohë që Putini është duke bllokuar rrugën detare, ne duhet të përdorim dhe të intensifikojmë të gjitha alternativat e disponueshme: rrugët, hekurudhat dhe Danubin”, theksoi Özdemir, duke shtuar se Gjermania “nuk do të tërhiqej” nga kjo.
Për të rritur përpjekjet për të nxjerrë grurin ukrainas jashtë vendit nëpërmjet Danubit, ministri premtoi fonde të reja për të financuar zgjerimin e kapaciteteve laboratorike në qytetin ukrainas të Izmail, që ndodhet në bregun e lumit pranë kufirit rumun.