Ministri gjerman i Transportit kundër vendimit të BE-së, për ndalimin e makinave me motorë me djegie
Ministri i Transportit i Gjermanisë ka shprehur kundërshtim të fortë ndaj planeve të BE-së për të ndaluar shitjen e makinave të reja me motorë me djegie në të gjithë BE-në nga viti 2035, duke thënë se kjo do të diskriminonte edhe automjetet me lëndë djegëse sintetike.
Kujtojmë se, zyrtarët e BE-së votuan të mërkurën për të mbështetur vendimin që kërkon nga prodhuesit e automjeteve të ulin emetimet e dioksidit të karbonit me 100% deri në mesin e dekadës së ardhshme, duke ndaluar në mënyrë efektive shitjen e makinave të reja me benzinë ose naftë.
Plani, i cili duhet të miratohet nga vendet anëtare të BE-së, do të nxiste ndjeshëm shitjen e automjeteve elektrike sepse zyrtarët refuzuan të përjashtojnë nga ndalimi edhe makinat me karburant sintetik. Një vendim ky që do t'i dëmtojë prodhuesit gjermanë të automjeteve, të cilët janë fokusuar në automjete të fuqishme dhe të shtrenjta me motorë me djegie, ndërkohë që kanë mbetur prapa rivalëve të huaj kur bëhet fjalë për makinat elektrike.
"Ne nuk pajtohemi me vendimet," u tha gazetarëve në Berlin Ministri gjerman i Transportit Volker Wissing.
Karburantet sintetike, apo e-karburantet, ose rafinohen nga impiantet ose prodhohen duke përdorur procese kimike bazë dhe energji elektrike. Nëse energjia elektrike prodhohet me burime të rinovueshme, si era ose dielli, atëherë lëndët djegëse konsiderohen "neutra klimatike" sepse djegia e tyre lëshon vetëm aq karbon në atmosferë sa ishte marrë më parë.
Sipas Associated Press, ekspertët në Institutin e Kërkimeve të Energjisë dhe Klimës në Juelich, Gjermani, kanë llogaritur se një makinë e mesme që funksionon me karburant sintetik do të përdorte shtatë herë më shumë energji sesa një makinë elektrike.
Por, Wissing është nën presionin e grupit të fuqishëm gjerman të autolobit VDA, dhe kritikoi votën e Parlamentit të BE-së si "një vendim kundër inovacionit dhe teknologjisë".
Ndërkohë, ambientalistët mbështetën fuqishëm votimin e BE-së si një mënyrë drejt një Evrope me të ardhme të gjelbër.
Kujtojmë se sipas analizave, makinat përbëjnë rreth 12% të emetimeve të gazeve serrë të lëshuara në BE. Ndërsa blloku deri në vitin 2050, synon të reduktojë emetimet nga të gjitha burimet në zero.