Ministri ekstremist Ben Gvir kërcënon me dalje nga koalicioni i Netanyahut, shkak armëpushimi - NACIONALE

Ministri ekstremist Ben Gvir kërcënon me dalje nga koalicioni i Netanyahut, shkak armëpushimi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben Gvir, i njohur për qëndrimet e tij të së djathtës ekstreme, të enjten në mbrëmje tha se partia e tij, Otzma Yehudit, do të largohet nga koalicioni qeverisës i kryeministrit Benjamin Netanyahu, nëse kabineti e miraton marrëveshjen me Hamasin për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve, siç pritet të ndodhë të premten.

Në të njëjtën kohë, Ben Gviri u tha gazetarëve në Jerusalem se edhe nëse partia e tij del nga koalicioni, ajo do të ishte e gatshme për t’u rikthyer, nëse lufta do të vazhdonte, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Partia Likud e Netanyahut e kritikoi kërcënimin e ministrit Ben Gvir, duke thënë: “Kushdo që e shpërbën qeverinë e krahut të djathtë do të kujtohet si turp i përjetshëm.”

Koalicioni i Netanyahut do ta kishte shumicën e ulëseve në Knesset edhe pa partinë e Ben Gvirit, por nëse nga Qeveria largohet edhe partia e ministrit tjetër të së djathtës ekstreme, Bezalel Smotrich, atëherë Netanyahu do të mbetej me një Qeveri të pakicës. Sidoqoftë, partitë opozitare kanë premtuar se do ta përkrahin koalicionin qeverisës për aq gjatë sa ai e çon përpara marrëveshjen për lirimin e pengjeve.

Përpos ministrave Ben Gvir e Smotrich, edhe ministri i Çështjeve të Diasporës, Amichai Chikli, i cili vjen nga partia e Netanyahut, të enjten në mbrëmje u zotua se do të jepte dorëheqje nga Qeveria, nëse armëpushimi me Hamasin do të bëhej i përhershëm dhe nëse Izraeli do të tërhiqej nga kufiri mes Gazës e Egjiptit para se të arriheshin qëllimet e luftës.

Ben Gviri tha para gazetarëve në Jerusalem se marrëveshja me Hamasin, në të cilën përfshihet lirimi i qindra të burgosurve palestinezë që janë duke e vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm, do ta mundësojë rehabilitimin e grupeve të terrorit në Gaza dhe do ta rikthejë rrezikun ndaj banorëve të zonave kufitare.

Sipas një kopjeje të rrjedhur të marrëveshjes, mbi 1.700 të burgosur palestinezë pritet të lirohen në këmbim të 33 pengjeve izraelite në fazën e parë të paktit./Nacionale

Lajme të ngjashme