Ministri britanik i Mbrojtjes pret që Trumpi të mbetet i përkushtuar ndaj NATO-s e Ukrainës
Ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, tha të hënën se ai pret që administrate e re amerikane e republikanit Donald Trump të mbetet e përkushtuar ndaj NATO-s dhe Ukrainës gjatë konfiktit të saj me Rusinë për aq gjatë sa të jetë e nevojshme.
Kur u pyet nëse përkrahja për Ukrainën ka rënë që nga fitorja e Trumpit në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara javën e kaluar, Healey në televizionin “Sky News” tha: “Edhe pse presidenti Trump mund të jetë më i mirë, ai njeh [faktin] që shtetet e marrin sigurinë përmes fuqisë, njësoj siç bëjnë aleancat si NATO-ja”, raporton agjencia “Reuters”.
“Dhe unë pres që ShBA-ja të mbetet krahas aleatëve si Britania, duke qëndruar me Ukrainën për aq gjatë sa të jetë e nevojshme për të ngadhënjyer mbi pushtimin e Putinit” – shtoi ai.
Healey gjithashtu tha se përkushtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s dhe sigurisë evropiane do të mbetet i fuqishëm nën presidencën e Trumpit, por shtoi se ai kishte argumentuar për ca kohë se shtetet evropiane duhet të ngrenë më shumë “pesha të rënda” në aspektin e shtimit të shpenzimeve në mbrojtje.
“Unë nuk pres që ShBA-ja t’ia kthejë shpinën NATO-s. Ata e njohin rëndësinë e aleancës. Ata e njohin rëndësinë e shmangies së konfliktit të mëtejmë në Evropë” – tha ministri britanik.
Sidoqoftë, ai tha se duhet të pritet për t’i parë propozimet e Trumpit. “Ne do të duhet që të presim dhe të shohim se çfarë propozon vërtet presidenti Trump… por nëse raportimet për telefonatën e tij me Putinin javën e kaluar janë të sakta, atëherë presidenti Trump ka saktësisht të drejtë për ta paralajmëruar Putinin kundër esklaimit të konfliktit në Ukrainë” – shtoi Healey.
Sipas tij, i përket Ukrainës që të vendosë se kur do t’i fillojë bisedimet për paqe me Rusinë. “Puna jonë është që ta përkrahim Ukrainën, të qëndrojmë me të, kur ata luftojnë, të qëndrojmë me ta, nëse ata vendosin që të bisedojnë” – tha ministri britanik./Nacionale