Ministrat e jashtëm të BE-së shqyrtojnë mundësinë e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, disa bëjnë thirrje për embargo të naftës
Bashkimi Evropian duhet të shtojë sanksionet ndaj Rusisë për të targetuar sektorin e saj fitimprurës të energjisë, thanë të hënën në Bruksel ministrat e jashtëm të Lituanisë dhe Irlandës.
Në përpjekje për të detyruar një tërheqje ushtarake ruse nga Ukraina, Bashkimi Evropian dhe aleatët e tij perëndimorë kanë vendosur tashmë një mori sanksionesh duke përfshirë ngrirjen e aseteve të bankës qendrore ruse.
Kriza humanitare në qytetin port të Mariupolit, ku banorët janë të rrethuar me pak apo fare ushqim, ujë dhe energji, po rrit presionin ndaj liderëve evropianë për të ashpërsuar sanksionet ndaj Moskës.
"Duke parë shkallën e shkatërrimit në Ukrainë tani, është shumë e vështirë të thuhet se ne nuk duhet të lëvizim në sektorin e energjisë, veçanërisht të naftës dhe qymyrit," tha Ministri i Jashtëm irlandez, Simon Coveney, ndërsa mbërriti në një takim të ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të BE-së.
Diplomatët i thanë Reuters se vendet baltike, përfshirë Lituaninë, po bëjnë presion për një embargo si hapi logjik i radhës, ndërsa Gjermania po tërheq vërejtjen kundër veprimit shumë të shpejtë për shkak të çmimeve tashmë të larta të energjisë në Evropë.
"Është e pashmangshme që ne të fillojmë të flasim për sektorin e energjisë dhe ne duhet patjetër të flasim për naftën sepse ajo siguron të ardhurat më të mëdha për buxhetin e Rusisë," tha Ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis.
"Ne nuk mund të lodhemi duke vendosur sanksione, nuk mund të lodhemi së ndihmuari Ukrainën," tha ai.
Besueshmëria ndaj Perëndimit ishte në pyetje, tha ai.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, mbërrin në Bruksel të enjten për samite me 30 aleatët e NATO-s, BE-në, dhe në një format të (G7) duke përfshirë Japoninë, i projektuar për të fuqizuar përgjigjen e Perëndimit ndaj Moskës.
Katër raunde të sanksioneve të BE-së të vendosura gjatë tre javëve të fundit, deri më tani nuk kanë bërë që Kremlini ta ndryshojë kursin në Ukrainë.
Raundi i pestë i sanksioneve do të përfshijë shtimin e më shumë emrave në listat e zeza të BE-së. Por zgjedhja më e vështirë ekonomike është nëse do të synohet nafta ruse, siç kanë bërë Shtetet e Bashkuara dhe Britania, duke pasur parasysh varësinë e 27 vendeve të BE-së nga gazi rus për energji.
Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt. Putin i ka quajtur veprimet e Rusisë një "operacion special" që synon të çmilitarizojë Ukrainën dhe ta pastrojë atë nga ata që ai i sheh si nacionalistë të rrezikshëm. Ukraina dhe Perëndimi thonë se këto janë pretekste të pabaza për një luftë agresive.
"Një krim masiv lufte po ndodh në Mariupol," kishte thënë shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell. Duke shtuar se "Rusia po bën shumë krime lufte.”
Franca - nuk duhet të ketë “tabu” për sa i përket sanksioneve
Diplomatët kanë thënë se një sulm me armë kimike ruse në Ukrainë, ose një bombardim i rëndë i kryeqytetit Kiev, mund të jetë një shkas për një embargo të energjisë.
Vetë Moska ka paralajmëruar se sanksionet e BE-së ndaj naftës ruse mund ta shtyjnë atë të mbyllë një tubacion gazi për në Evropë.
Për momentin, BE-ja, e cila mbështetet tek Rusia për 40% të gazit të saj, me Gjermaninë ndër më të varurit nga ekonomitë e mëdha të BE-së, është e ndarë se si të trajtojë çështjen e energjisë.
Franca, e cila kryeson presidencën gjashtëmujore të BE-së, mund të jetë vendimtare.
Presidenti Emmanuel Macron ka thënë se nëse situata përkeqësohet edhe më shumë në Ukrainë – ku mijëra janë vrarë, miliona janë zhvendosur dhe disa qytete të shkatërruara nga granatimet – nuk duhet të ketë “tabu” për sa i përket sanksioneve.
Ministrat e mbrojtjes do të diskutojnë gjithashtu një "busull strategjik", një strategji të re ushtarake të BE-së që synon të përshtatë bllokun me një realitet të ri gjeopolitik.