Ministrat e jashtëm evropianë të gatshëm për t’i ashpërsuar masat ndaj Rusisë - NACIONALE

Ministrat e jashtëm evropianë të gatshëm për t’i ashpërsuar masat ndaj Rusisë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministrat e jashtëm të disa shteteve të mëdha evropiane thanë të enjten se janë të gatshëm për ta shtuar presionin ndaj Rusisë, “përfshirë përmes sanksioneve të mëtejme” që i mbulojnë sektorët e bankave dhe energjisë, për ta dobësuar Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës.

Në takimin që u mbajt në Romë morën pjesë zyrtarë nga Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja, Britania dhe Bashkimi Evropian. Pjesë e bisedimeve ishin edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe një përfaqësues ukrainas, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ne e përsëritëm gatishmërinë tonë për ta shtuar presionin tonë ndaj Rusisë, përderisa ajo po vazhdon që të refuzojë zotime serioze dhe të besueshme, përfshirë përmes sanksioneve të mëtejme dhe kundërshtimit të shmangies së tyre” – thuhet në deklaratën e kryediplomatëve evropianë.

Mbledhja në Romë u mbajt në kohën kur Rusia i ka shpeshtuar sulmet ndaj Ukrainës, për të cilat Moska thotë se janë masa hakmarrëse për sulmet e kryera rishtazi nga forcat ukrainase në territorin rus.

Zyrtarët evropianë thanë të enjten se janë “të gatshëm për të zbatuar shpejt masa ta reja (posaçërisht në sektorët e bankave dhe të energjisë) me qëllim të minimit” të përpjekjeve të Rusisë në luftë.

Ata theksuan se do t’i mbajnë asetet sovrane të ngrira ruse në juridiksionin e tyre “derisa Rusia ta ndalë agresionin e saj dhe të paguajë për dëmin që e ka shkaktuar”.

Rreth 300 miliardë dollar asete shtetërore ruse u ngrinë nga vendet e Grupit G7 pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 2022./Nacionale

Lajme të ngjashme