Milano i Italisë e regjistron ditën më të nxehtë në 260 vitet e fundit
Në qytetin verior Italian, Milano, u regjistrua një rekord i ri i temperaturës mesatare ditore prej 33 gradësh të mërkurën, përderisa vala e vapës, që kishte nisur në mes të gushtit, e arriti kulmin, tha të premten agjencia rajonale për mbrojtje mjedisore.
E mërkura ishte dita më e nxehtë që nga fillimi i regjistrimit të temperaturave në stacionin e motit në Milano Brera më 1763. Rekordi i mëparshëm i temperaturës më të lartë mesatare ditore në Milano ishte regjistruar më 11 gusht 2003 – 32.8 gradë, raporton agjencia “Reuters”.
Në kryeqytetin Italian, Romë, në korrik u regjistrua kulmi i vapës prej 41,8 gradësh, përderisa edhe një pjesë e madhe e Evropës këtë verë është ballafaquar me temperatura jashtëzakonisht të larta, të cilat kanë nxitur zjarre në natyrë e paralajmërime shëndetësore nga autoritetet.
Në deklaratën e agjencisë rajonale në Itali thuhet se 23 dhe 24 gushti kanë qenë ditët më të nxehta të kësaj vere në mbarë rajonin e Lombardisë, i cili e rrethon Milanon, ndërsa në disa qyteza janë regjistruar temperatura mbi 40 gradë.
Agjencia shtoi se temperaturat “intensive dhe jonormale” i kanë prekur edhe Alpet Italiane.
Megjithatë, sipas kësaj agjencie, vala e vapës pritet të përfundojë javën e ardhshme me rënie të madhe të temperaturave prej 10 deri në 15 gradë në fillim të javës.
