Mijëra të zhvendosur nga vërshimet në Tajlandë e Malajzi, së paku tetë të vdekur - NACIONALE

Mijëra të zhvendosur nga vërshimet në Tajlandë e Malajzi, së paku tetë të vdekur

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Vërshimet e shkaktuara nga shiu që zgjati disa ditë lanë të vdekur të paktën tetë njerëz në jug të Tajlandës dhe detyruan mijëra njerëz që të vendoseshin në qendra të evakuimit në Malajzinë fqinje, thanë të hënën zyrtarët, përderisa autoritetet i shtuan përpjekjet për të ofruar strehim dhe ndihma.

Uji i vërshimeve që arrin deri në bel në disa zona ka prekur dhjetë province në jug të Tajlandës dhe tetë shtete në Malajzi, rajone që shtrihen në qindra kilometra dhe që vitin e kaluar gjithashtu ishin goditur rëndë nga vërshimet e periudhës së reshjeve, kur të paktën 12 njerëz kishin mbetur të vdekur, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Qendra jugore e tregtisë në Tajlandë, Hat Yai, të premten i shënoi reshjet më të mëdha brenda një dite në më shumë se 300 vjet, sipas Departamentit të Ujitjes. Disa banorë u panë duke tërhequr fëmijë në kuti plastike të shndërruara në barka të improvizuara, ndërsa në periferi të qytetit, kamionët dhe autobusët e parkuar formonin kolona të gjata përgjatë pak rrugëve pa ujë që kishin mbetur, ndërsa automjetet e tjera po lëviznin ngadalë nëpër ujë.

Tetë viktimat në Tajlandë u shkaktuan kryesisht nga kontakti me rrymën dhe nga aksidente të tjera të ndërlidhura me vërshimet, sipas autoriteteve të shtetit aziatik.

Agjencia për menaxhimin e katastrofave tha se janë mobilizuar qindra barka dhe automjete të larta për të shpërndarë ndihma. Raportohet se të paktën 700 mijë amvisëri janë prekur që nga java e kaluar.

Në Malajzinë fqinje, më shumë se 15 mijë njerëz ishin në strehimore, sipas të dhënave të Departamentit të Mirëqenies Sociale, në mesin e 90 qendrave të evakuimit që ishin hapur. Deri më tani nuk është raportuar për të vdekur në këtë shtet.

Lajme të ngjashme