Orbani e bën horë Rumaninë në tokën e saj dhe e godet BE-në për LGBT-në e emigrantët
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, gjatë një vizite në Rumaninë fqinje, ka bërë publike një gjë për të cilën, sipas të gjitha gjasave, vendi pritës nuk do të donte që të publikohej.
Para një audience të gjerë në pjesën qendrore të Rumanisë të shtunën, Orbani tha se Ministria e Jashtme e Rumanisë i ka dhënë një listë të temave të ndjeshme, të cilat ai duhet t’i shmanë në fjalimet publike në një organizim vjetor të mbajtur nga udhëheqësit e pakicës hungareze në Transilvani të Rumanisë, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
Vitin e kaluar, Orbani nxiti një valë të kritikave ndërkombëtare pas një fjalimi të mbajtur në organizimin e njëjtë në Baile Tusnad, në të cilin paralajmëroi kundër përzierjes me “jo-evropianët”.
“Çdo vit, zgjedhja se cilat duhet të jenë temat për diskutim shkakton dhimbje koke. Marr vesh që këtë vit, Ministria e Jashtme e Rumanisë na doli në ndihmë dhe më tregoi se për çfarë kam leje që të flas e për çfarë jo dhe çfarë duhet të shmang. Na e thanë tërë këtë në një dokument zyrtar, po ju tregoj”- tha kryeministri hungarez.
Përpos vendit fqinj, ai e kritikoi përsëri edhe Bashkimin Evropian, për kryerjen e asaj që ai e quajti “ofensivë LGBTQ”, duke thënë se qeveria e tij do t’i mbrojë rrënjët e krishtera të vendit.
Në fjalimin e tij në Rumani, ai tha se shpreson që zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Parlamentin Evropian do t’i forcojnë qeveritë brenda BE-së që e refuzojnë “federalizmin” e përfaqësuar nga Gjermania dhe Franca.
Sipas tij, BE-ja “ose është perandori ose kombe (në vete)”. “Nuk duhet të kemi ndonjë iluzion: federalistët po mundohen që të na nxjerrin nga loja”- shtoi kryeministri hungarez.
“Ata haptazi dëshiruan një ndryshim në qeveri (më 2022) në Hungari”- pretendoi Orbani, duke thënë se e njëjta gjë tani vlen edhe për Poloninë.
“BE-ja e refuzon trashëgiminë e krishterë, bën një zëvendësim të popullsisë së vet përmes migrimit... dhe kryen një ofensivë LGBTQ”- tha ai të shtunën.
