Melenchon, problemi i fituesve të zgjedhjeve në Francë - NACIONALE

Melenchon, problemi i fituesve të zgjedhjeve në Francë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

E majta franceze ka një problem me politikanin Jean-Luc Melenchon. Partia e tij, Franca e Papërkulur, fitoi më së shumti ulëse në aleancën majtiste që shënoi fitore të befasishme kundër të djathtës ekstreme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës.

Pozita e lartë e partisë së Melenchon-it i jep pretendim të besueshëm për t’u bërë kryeministër i ardhshëm i Francës. Megjithatë, shpresa e tij për ta tërhequr Francën dukshëm majtas duket e vdekur, pasi udhëheqësit e partive tradicionale shpejt e përjashtuan formimin e një koalicioni me figurën pro Gazës, të cilën shumë njerëz në Francë e shohin si radikalist antisemit, raporton agjencia “Reuters”.

Aleanca majtiste, Fronit i Ri Popullor, mund të përpiqet që të ndërtojë një koalicion pa të, ose të mundohet të formojë një qeveri të pakicës duke arritur marrëveshje veç e veç për legjislacion me rivalët, por asnjëra prej këtyre nuk do të jetë e lehtë.

Melenchon, që i mohon akuzat për antisemitizëm, “është figura më përçarëse brenda Frontit të Ri Popullor” – tha udhëheqësi socialist, Olivier Faure.

Anëtarë të tjerë të aleancës majtiste, duke folur në kushte anonimiteti, ishin edhe më të drejtpërdrejtë.

“Melenchon është problem” – i tha agjencisë “Reuters” një ligjvënës i të Gjelbërve.

Politikani 72-vjeçar ka qenë i pranishëm në të majtën franceze me dekada, duke mbajtur poste ministrore në qeveri të kaluara, kur ishte anëtar i Partisë Socialiste. Ai kishte garuar për president më 2012, 2017 e 2022, duke dalë në vend të tretë atë vit, pas udhëheqëses së të djathtës ekstreme, Marine Le Pen, e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Edhe pse vetë nuk është deputet, Melencon mban kontroll të rreptë në partinë e tij. Ai është admirues i udhëheqësve revolucionarë të Amerikës Latine, e mbron kontrollimin e çmimeve, rritjen e madhe të pagës minimale dhe rikthimin e taksës së pasurisë.

Reputacioni i tij kishte pësuar një goditje më 2018, kur ishte kapur në kamerë duke bërtitur “unë jam Republika!” para hetuesve kundër ryshfetit, që po e kontrollonin selinë qendrore të partisë së tij.

Pyetja se si të trajtohet Melenchoni është vetëm njëra nga kokëdhimbjet me të cilën ballafaqohen ligjvënësit e rinj francezë, përderisa mundohen t’ia hapin rrugën shtetit që nuk është mësuar me qeveri me koalicione kaotike, që shpesh janë parë në Gjermani e Holandë.

Udhëheqësit e partive që e përbëjnë aleancën majtiste kanë zhvilluar takime për të diskutuar se kush duhet ta zëvendësojë kryeministrin Gabriel Attal, i cili të hënën ia paraqiti dorëheqjen presidentit Macron, por pritet të qëndrojë në kapacitetin e kryeministrit në detyrë./Nacionale

Lajme të ngjashme