Medvedevi thotë se hyrja e Ukrainës në NATO do të nënkuptonte shpallje lufte - NACIONALE

Medvedevi thotë se hyrja e Ukrainës në NATO do të nënkuptonte shpallje lufte

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka thënë se pranimi i Ukrainës në NATO do të nënkuptonte shpallje lufte kundër Moskës dhe vetëm “maturia” nga ana e aleancës perëndimore do të mund ta parandalonte shkërmoqjen e planetit.

Udhëheqësit e NATO-s u zotuan në samitin e aleancës javën e kaluar për ta përkrahur Ukrainën në një “rrugë të pakthyeshme drejt integrimit euro-atlantik, përfshirë anëtarësimin në NATO”, por e lanë të hapur pyetjen se kur mund të ndodhë hyrja e këtij shteti në aleancë, raporton agjencia “Reuters”.

Medvedevi, tani nëndrejtor i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, i tha një medium se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të shkonte përtej një kërcënimi të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së Moskës.

“Kjo, në thelb, do të ishte shpallje lufte – edhe pse me një vonesë. Veprimet që kundërshtarët e Rusisë kanë qenë duke i bërë kundër nesh me vite, duke e zgjeruar aleancën… e çojnë NATO-n te pika e pakthim” – shtoi zyrtari rus.

Duke e ndjekur vijën standard të Kremlinit që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës, Medvedevi tha se Rusia nuk e ka kërcënuar NATO-n, por se do t’u kundërpërgjigjet përpjekjeve të aleancës për avancimin e interesave të saj.

Ai e riktheksoi pozicionin e Moskës se emërimi i holandezit Mark Rutte në krye të NATO-s nuk do ta ndryshojë qëndrimin e aleancës.

“Për Rusinë, asgjë nuk do të ndryshojë, pasi vendimet kyçe nuk merren nga vendet anëtare të NATO-s, por nga një shtet – Shtetet e Bashkuara” – tha Medvedevi.

Lajme të ngjashme