Medvedevi tallet me “ultimatumin teatral” të Trumpit: Bota u drodh duke i pritur pasojat, Rusia s’u mërzit
Rusia nuk mërzitet për “ultimatumin teatral” të presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e sanksioneve ndaj blerësve të eksporteve ruse, nëse Moska nuk pajtohet për një marrëveshje të paqes në Ukrainë, tha të martën ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev.
Duke folur të hënën në Zyrën Ovale pranë sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidenti amerikan njoftoi dërgim të ri armësh në Ukrainë dhe kërcënoi me taksa dytësore prej 100 për qind ndaj blerësve të eksporteve ruse, të cilat përbëhen në pjesë të madhe nga nafta e papërpunuar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti amerikan gjithashtu shprehu zemërim ndaj homologut rus, Vladimir Putin, duke thënë se nuk dëshiron që ta quajë atë “vrasës, por ai është një djalë i fortë”.
“Trumpi lëshoi një ultimatum teatral ndaj Kremlinit. Bota u drodh, duke i pritur pasojat. Evropa luftëdashëse u zhgënjye. Rusia s’u mërzit” – shkroi Medvedevi në rrjetin X. Ish-presidenti rus tani e mban pozitën e nënkryetarit të Këshillit të Sigurisë të Rusisë.
Kremlini deri më tani nuk i ka komentuar deklaratat e Trumpit, por të hënën tha se ishte e qartë se Shtetet e Bashkuara kishin vazhduar që ta furnizonin Ukrainën me armë dhe municion.
Në Uashington, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se qëllimi i Trumpit është që të vendosë “taksa 100 për qind ndaj Rusisë” dhe sanksione dytësore ndaj shteteve të tjera që blejnë naftë nga Rusia, nëse marrëveshja e paqes me Ukrainën nuk arrihet brenda 50 ditëve.
Tetëdhjetë e pesë prej 100 senatorëve amerikanë janë duke sponsorizuar një projektligj që do t’ia jepte Trumpit autoritetin për t’i vendosur 500 për qind taksë cilitdo shtet që e ndihmon Rusinë, por udhëheqësit republikanë të Senatit kanë qenë duke e pritur Trumpin që t’ua japë dritën e gjelbër që legjislacioni të hidhet në votim.
Kina dhe India janë blerëset më të mëdha të naftës së papërpunuar ruse. Trumpi i tha BBC-së në një intervistë se “nuk e ka mbaruar” me Putinin./Nacionale