Medvedevi kërcënon gazetarët e “The Times”: Të kenë kujdes, në Londër ndodh gjithçka
Nënkryetari i Këshillit të Sigurisë të Rusisë dhe ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, i ka përshkruar redaktorët e gazetës britanike “Times” si “caqe legjitime ushtarake” si kundërpërgjigje ndaj mbulimit të vrasjes së një gjenerali rus nga e përditshmja e njohur.
Komentet e ashpra të Medvedevit të mërkurën erdhën pas botimit të një editoriali ku gazeta e përshkroi vrasjen e Gjeneral Lejtënant Igor Kirillov-it si “akt legjitim të vetëmbrojtjes” nga Ukraina, e cila e ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e tij, raporton gazeta “The Guardian”.
Kirillovi, që ishte udhëheqës i njësitit ushtarak për armë kimike, biologjike dhe radiologjike, u vra bashkë me asistentin e tij, kur një pajisje e vendosur në një trotinet elektrik shpërtheu në momentin kur dy burrat po dilnin nga një ndërtesë në juglindje të Moskës të martën në mëngjes.
“Ata që kryejnë krime kundër Rusisë... gjithmonë kanë bashkëpunëtorë. Edhe ata tani janë caqe legjitime ushtarake. Kjo kategori do të mund t’i përfshinte gjithashtu çakajtë nga “The Times”, të cilët me frikë u fshehën prapa editorialit të tyre. Kjo e nënkupton tërë udhëheqësinë e publikimit” – tha Medvedevi në kanalin e tij në “Telegram”.
Në kërcënimin e tij, ish-presidentit rus shtoi se gazetarët e të përditshmes britanike duhet “të jenë të kujdesshëm”, pasi “gjithçka ndodh në Londër”.
Duke iu kundërpërgjigjur shkrimit të Medvedevit, sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, tha në rrjetin X se “ky kërcënim bandit kundër gazetarëve të gazetës “The Times” kundërmon dëshpërim”.
“Gazetat tona i përfaqësojnë vlerat më të mira: lirinë, demokracinë dhe të menduarit e pavarur” – shkroi kryediplomati britanik, i cili gjithashtu publikoi një fotografi të veten ku shihet duke e lexuar pikërisht gazetën “The Times”.
Russia's Medvedev’s gangster threat against Times journalists smacks of desperation.
— David Lammy (@DavidLammy) December 18, 2024
Our newspapers represent the best of British values: freedom, democracy and independent thinking. I stand with @thetimes. pic.twitter.com/L6jscmESgn