Medvedevi e kërcënon haptazi Poloninë: Rrezikoni që ta humbni shtetësinë
Dmitry Medvedev, ish-president rus dhe aleati i presidentit të tanishëm të Rusisë, Vladimir Putin, e ka paralajmëruar Poloninë se ky shtet tani cilësohet “armik i rrezikshëm” nga Rusia dhe mund të përfundojë duke e humbur shtetësinë, nëse vazhdon në drejtimin e tanishëm.
Ish-udhëheqësi i Federatës Ruse, tani zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, i bëri këto komente në një artikull të gjatë për marrëdhëniet Rusi – Poloni, duke thënë se Moska tani ka një “armik të rrezikshëm” në Poloni, raporton agjencia “Reuters”.
“Do ta trajtojmë atë (Poloninë) saktësisht si armike historike. Nëse nuk ka shpresë për pajtim me armikun, Rusia duhet të ketë vetëm një qëndrim dhe atë shumë të fortë në lidhje me fatin e tij”- shkroi Medvedevi.
“Historia më shumë se një herë ka dhënë vendim të pamëshirshëm për polakët mendjemëdhenj: pavarësisht se sa ambicioze mund të jenë planet revanshiste, kolapsimi i tyre do të mund të çonte në vdekjen e shtetësisë polake në tërësinë e saj”- shtoi ish-presidenti rus.
Nuk pati kundërpërgjigje të menjëhershme nga Polonia për komentet e Medvedevit.
Lufta në Ukrainë i ka zbritur në nivele edhe më të ulëta marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara mes Moskës dhe Varshavës.
Polonia, që i ka ofruar mbështetje Ukrainës, e akuzon Rusinë se po mundohet që ta destabilizojë shtetin e BE-së me fushata dezinformuese e me spiunazh. Në anën tjetër, Moska e ka dënuar atë që e sheh si pozicion armiqësor të Varshavës ndaj interesave ruse në Poloni.
