Medvedev paralajmëron “fundin e njerëzimit” nëse Moska dënohet për krime lufte
Në një kërcënim të fundit bërthamor nga Kremlini, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev ka paralajmëruar fundin e "ekzistencës së njerëzimit" nëse Moska dënohet për krime lufte.
Aleati i ngushtë i Vladimir Putin, i cili tani shërben si nënkryetar i Këshillit të Sigurimit, tha se “Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) duhet të përmbahet nga përpjekjet për veprime legalisht të pavlefshme kundër Rusisë”.
Pushtimi i egër i Ukrainës vazhdon të lërë pas një sërë krimesh të supozuara lufte, duke përfshirë granatimet e përsëritura të civilëve, përdhunimet, torturat, ekzekutimet në grup si dhe përdorimin e municioneve thërrmuese të ndaluara.
Por, Medvedev, i cili ishte president midis 2008 dhe 2012, ka thënë sot në Telegram se: “Ideja për të ndëshkuar vendin që ka potencialin më të madh bërthamor është absurde në vetvete. Dhe potencialisht kërcënon ekzistencën e njerëzimit.”
Më pas Medvedev ka akuzuar edhe ShBA-të se po përpiqen të “mbjellin kaos dhe shkatërrim përmes ICC-së”, duke e quajtur superfuqinë perëndimore “ose një guximtare ose një idiote”.
Kujtojmë se, që kur Putini dërgoi trupat në Ukrainë më 24 shkurt, Medvedev ka përdorur rregullisht rrjetet sociale për të sulmuar Perëndimin dhe ata që kritikojnë Moskën.
Muajin e kaluar, ai i quajti ata që urrejnë Rusinë “të degjeneruar” dhe u zotua se do të punonte për t'i “zhdukur”.
Ai paralajmëroi gjithashtu se çdo cenim në gadishullin e Krimesë nga një shtet anëtar i NATO-s mund të përbëjë një shpallje lufte që mund të çojë në "Luftën e Tretë Botërore".
E po ashtu pati komente edhe në lidhje me bashkimin e Finladës dhe Suedisë me NATO-n, duke thënë se nëse këto vende i bashkohen NATO-s, Rusia do të ishte gati për “hapa hakmarrëse” - dhe kjo mund të përfshijë instalimin e raketave hipersonike Iskander “në pragun e tyre”.
