Me lule e të shtëna me armë, Japonia ja jep lamtumirën ish-kryeministrit Abe
Me lule, lutje e nderim me të shtëna armësh, Japonia të martën e nderoi ish-kryeministrin, Shinzo Abe, në funeralin e parë shtetëror për një ish-kryeministër në 55 vitet e fundit – ceremoni që është bërë aq kundërthënëse sa ishte ai në jetën e vet.
Ceremonia filloi në orën 14:00, kur hiri i Abe-s u vendos në Sallën “Nippon Budokan”, në pjesën qendrore të Tokios, nga bashkëshortja e tij, Akie, me muzikë nga një bandë muzikore ushtarake dhe me përshëndetjen e nderit nga rojat, që jehuan në sallë.
Mijëra njerëz u grumbulluan në vendet e caktuara që nga mëngjesi i hershëm për ta nderuar figurën e ish-kryeministrit japonez.

Për disa orë, rreth 10.000 njerëz vendosën lule, ndërsa shumë të tjerë ishin duke pritur në radhë për tri orë, shkruan agjencia “Reuters”.
“E di se është përçarëse dhe ka shumë njerëz kundër kësaj, por kishte shumë njerëz në radhë për të vendosur lule. Mu duk se funerali po zhvillohet në të vërtetë tani, shumë njerëz kanë dalë për t’u lutur për të”, tha Yoshiko Kojima, një grua 63-vjeçare nga Tokio.
Vrasja e Abe-s në një tubim fushate më 8 korrik solli një varg të zbulimesh për lidhjet mes ligjvënësve në Partinë Liberale Demokratike, që ai dikur e udhëhiqte, dhe Kishës së Unifikimit, të cilën kritikët e quajnë kult, duke nxitur reagime kundër kryeministrit të tanishëm, Fumio Kishida.

Sidoqoftë, kundërshtimi për nderimin e Abe-s me funeral shtetëror, organizimi i parë i tillë që nga viti 1967, ka mbetur, i nxitur nga çmimi prej 11.5 milionë dollarësh për ceremoninë që do të paguhet nga shteti në kohën e krizës ekonomike për qytetarët e rëndomtë.
Në një pjesë të Tokios qendrore, protestuesit mbanin në dorë pankarta dhe brohorisnin “jo funeral shtetëror”, nën tingujt e kitarës.
Në ceremoni, pas momentit të heshtjes u paraqitën jeta politike e Abe-s dhe fjalimet e figurave udhëheqëse të partisë, përfshirë ish-kryeministrin Kishida dhe kryeministrin e tanishëm, Yoshihide Suga.

Rreth 4.300 persona morën pjesë në ceremoninë shtetërore, bashkë me të paktën 48 figura të tanishme ose të kaluara qeveritare, përfshirë nënpresidenten e ShBA-së, Kamala Harris, dhe kryeministrin indian, Narendra Modi.
Funerali shtetëror për Abe-n, për të cilin ishte organizuar edhe funeral privat disa ditë pas vrasjes, ishte i pari për një ish-kryeministër që nga viti 1967 për ish-kryeministrin Shigeru Yoshida.
