Me emër brazilian, Holanda kap spiunin rus që përpiqej të depërtonte në Gjykatën e Hagës - NACIONALE

Me emër brazilian, Holanda kap spiunin rus që përpiqej të depërtonte në Gjykatën e Hagës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shërbimi i sigurisë holandeze ka njoftuar se një spiun rus i mbuluar thellë ka tentuar të depërtojë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) në Hagë.

Burri i cili përdorte emrin Viktor Muller Ferreira, kishte pretenduar të jetë brazilian, por atij i ishte refuzuar hyrja pasi kishte arritur në Holandë.

Autoritetet holandeze njoftuan se emri i tij i vërtetë ishte Sergey Vladimirovich Cherkasov dhe se ai ishte spiun i GRU - inteligjencës ushtarake ruse.

Përpara se të aplikonte për një praktikë në ICC në Hagë, është bërë e ditur se burri kishte shpenzuar vite të tëra duke u munduar të krijojë një identitet të rremë.

Agjencia holandeze e sigurisë, AIVD, tha se nëse ai do të kishte qenë i suksesshëm në marrjen e pozicionit dhe depërtimin në organizatë, mund të kishte bërë dëm të vërtetë.

“Kërcënimi i paraqitur nga ky oficer i inteligjencës konsiderohet potencialisht shumë i lartë”, thuhej në një deklaratë.

Për ata që e njihnin, Viktor Muller Ferreira ishte një brazilian me interes për çështjet ndërkombëtare, por në realitet, AIVD tha se ai ishte një lloj i veçantë spiuni rus i njohur si "ilegal".

Inteligjenca ruse e përdor emrin për të dalluar oficerë të tillë nga spiunët "legalë" të cilët paraqiten të fshehtë si diplomatë. Shumë vende përdorin spiunë që pretendojnë se janë njerëz të zakonshëm, por Rusia është specializuar prej kohësh në një lloj agjenti ilegal me mbulesë të thellë, i cili merr një kombësi krejtësisht të ndryshme.

Këta spiunë pretendojnë se janë amerikanë, britanikë, kanadezë ose - në rastin e Ferreira - brazilianë për t'i lejuar ata të lëvizin në qarqe ku rusët do të përballeshin me dyshime.

Sipas vlerësimeve perëndimore, mund të duhen nga pesë deri në 10 vjet që një agjent i paligjshëm të trajnohet dhe të krijojë mbulesën e tij, e duke pasur parasysh këto sfida thuhet se nuk mund të ketë shumë të tillë, ndoshta më pak se 30.

Inteligjenca ruse ka shënjestruar prej kohësh ICC-në dhe mendohet se Ferreira kishte filluar të kërkojë një stazh në fund të vitit të kaluar. Që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, rëndësia e gjykatës është rritur pasi me 3 mars, prokurori i ICC-së hapi një hetim për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Ukrainë.

Lajme të ngjashme