Mbyllja qeveritare: ShBA-ja do të pakësojë trafikun ajror për 10 për qind në 40 aeroporte - NACIONALE

Mbyllja qeveritare: ShBA-ja do të pakësojë trafikun ajror për 10 për qind në 40 aeroporte

4 javë më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Transportit i Shteteve të Bashkuara, Sean Duffy, konfirmoi të mërkurën se do të urdhërojë zvogëlim prej 10 për qind të trafikut ajror të planifikuar në 40 aeroporte të rëndësishme duke filluar nga e premtja, nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund mbylljes së qeverisë federale.

Mbyllja e qeverisë, tashmë në ditën e 36-të, ka detyruar 13.000 kontrollorë ajrorë dhe 50.000 zyrtarë të Administratës së Sigurisë së Transportit që të punojnë pa paga. Kjo e ka përkeqësuar mungesën e stafit, ka shkaktuar vonesa të fluturimeve dhe i ka zgjatur rreshtat e pritjes në zonën e kontrollit të sigurisë në aeroporte, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Qëllimi i vendimit është që të largohet presioni nga kontrollorët ajrorë. Adminsitrata Federale e Aviacionit gjithashtu paralajmëroi se mund të shtojë kufizime ndaj udhëtimeve pas së premtes, nëse shfaqen probleme të mëtejme në trafikun ajror.

Duffy kishte paralajmëruar të martën se nëse mbyllja e qeverisë federale vazhdon edhe për një javë, një gjë e tillë do të mund të çonte në “kaos masiv” dhe ta detyrojë atë që të mbyllë një pjesë të hapësirës ajrore kombëtare për trafik ajror, veprim drastik që do të mund ta përmbyste aviacionin amerikan.

Kompanitë ajrore në mënyrë të përsëritur kanë bërë thirrje që t’i jepet fund mbylljes së qeverisë federale, duke i përmendur si arsye rreziqet ndaj sigurisë së aviacionit.

Vlera e aksioneve të kompanive të rëndësishme ajrore, përfshirë “United Airlines”-in dhe “American Airlines”-in, ra për rreth 1 për qind.

Një grup i industrisë së trafikut ajror vlerësoi se mbi 3,2 milionë pasagjerë janë prekur nga vonesat ose anulimet e fluturimeve për shkak të shtimit të mungesave të kontrollorëve ajrorë që nga fillimi i mbylljes qeveritare më 1 tetor. Kompanitë ajrore e kanë ngritur shqetësimin me ligjvënësit për ndikimin ndaj operacioneve.

Kompanitë ajrore kanë thënë se mbyllja e qeverisë nuk e ka prekur në masë domethënëse biznesin e tyre, por paralajmëruar se mund të bjerë numri i rezervimeve, nëse kjo gjende vazhdon. Më shumë se 2.100 fluturime pësuan vonesa të mërkurën./Nacionale

Lajme të ngjashme